"Nuk kemi konflikte, ndoshta janë ngatërruar"
TIRANE - Pronari i biznesit "Dea", 18-vjeçari Gerald Shyti mohoi dje të kishte hasmëri apo probleme me ndonjë person. Sipas të atit të tij, A.Shyti, biznesin e administronte në ambientin e marrë me qira djali i tij adoleshent, Gerald Shyti, nxënës në vitin e katërt të gjimnazit "Ismail Qemali". Po kështu, at e bir mohuan edhe faktin se personi që e kishte blerë ambientin dhe më pas e kishte dhënë me qira, të kishte probleme hasmërie. Sipas të atit, pas ngjarjes ai dhe i biri kishin ardhur në vendngjarje, ndërsa autorët ishin larguar. Pak minuta më vonë policia i ka lajmëruar ata për arrestimin e dy të rinjve, ndërsa këta pohuan se ishin të pritje të informacioneve, që mund të merrnin nga uniformat blu. Sipas tyre dy të rinjtë, siç duket do kenë ngatërruar objektiv dhe e kanë vendosur lëndën shpërthyese në vendin gabuar. I biri, 18-vjeçar tregoi se biznesin e kishte nisur pak kohë më parë bashkë me një shok të vetin dhe se nuk kishte pasur probleme as me banorët e zonës, as me klientët e lokalit. "Nuk kemi pasur asnjë problem apo grindje me persona të kësaj lagjeje, apo klientët e lokalit. Nga origjina jemi banorë të vjetër të Tiranës dhe banojmë në rrugën "Komuna e Parisit". Nëse do të ndodhte që ndonjë klient largohej pa paguar, ne nuk kemi asnjë arsye për t'u grindur me të", tha 18 vjeçari Shyti, duke përjashtuar në këtë mënyrë grindjen me ndonjë prej klientëve të dehur. Madje, ai pohoi se gjatë pesë muajve që kishte hapur atë biznes kishte bërë shumë mungesa në shkollë, prej nga kishte humbur vitin shkollor dy javë më parë. Ndërsa duke folur për oraret e mbylljes së lokalit, adoleshenti tregoi zakonisht lokali mbyllej në orën 22:00 të mbrëmjes dhe nëse kishte klientë mund të qëndronte hapur deri një orë më vonë. Pas orës 23:00 ai tha se personeli i largonte klientët dhe merrej me sistemimin e ambientit, nxjerrjen e llogarisë si dhe veprime të tjera të përditshme, në mënyrë që gjithçka të ishte gati për ditën tjetër. Babai i adoleshentit pohoi dje se pronari i ambientit që kishte marrë me qira i biri, nuk ishte parë të vinte te lokali, çka sipas tyre duhet ta bënte në shenjë njerëzore për atë që kishte ndodhur. Ndërsa duke treguar për momentin e vënies së lëndës shpërthyese, i ati i pronarit 18-vjeçar pohoi, se personat që ndodheshin në lokal ato momente kishin tentuar ta largonin tritolin, por ai kishte shpërthyer. fa.ma.