Eksploziv në makinën e policisë në veri
Persona të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes në makinën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në makinën e majores Olga Stefanoviq.
Ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes në Leshak. Burime të Kosovapress-it nga veriu kanë bërë të ditur se hedhja e eksplozivit në makinën e policisë ka qenë e qëllimshme dhe është kryer nga grupe ekstremistësh serbë.
Në momentin e hedhjes së mjetit shpërthyes vetura e tipit "Huyndai", me targa të policisë, ka qenë e parkuar para shtëpisë së oficeres së lartë të policisë, Stefanoviq.
Hedhjen e eksplozivit e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të policisë në Mitrovicë. Nystret Mehmeti, shef i operativës ka theksuar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke i kryer hetimet lidhur me këtë rast.
“Pritet që në vendin e ngjarjes të dalin edhe ekspertë të kriminalistikës, të cilët do të përcaktojnë edhe llojin e mjeti shpërthyes”, ka thënë Mehmeti.