E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po, më hetuan

Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar pranoi se Pieter Feith është hetuar nga Prokuroria Speciale. EULEX, ndërkaq, tha se ky rast është përmbyllur. Express sjell letrën që Shefi i ICO’së, një muaj më parë, ia ka dërguar Shefit të EULEX’it. Aty, ai i ankohet Xavier de Marhnac’ut për hetimet e nisura, derisa misionit i sugjeron se kënd ta hetojë. Nga Leonard Kerquki më 21 qershor 2011 në ora 08:02

Pieter Feith ka pranuar se ka qenë i hetuar nga EULEX’i, në lidhje me zgjedhjen e Gani Gërgurit në postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Me fjalë të tjera, të njëjtën gjë e ka thënë edhe EULEX’i, nëpërmjet një njoftimi për media.

Reagimi i këtyre dy mekanizmave vjen një ditë pasi që Gazeta Express publikoi lajmin se holandezi i ishte nënshtruar një hetimi nga prokurorë europianë.

Zëdhënësi i ICO’së, Andy McGuffie pohoi se Shefi i tij është befasuar kur ka dëgjuar se po hetohet.

“Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR) ishte mjaft i befasuar kur dëgjoi për herë të parë për supozimin për një hetim dhe menjëherë kërkoi sqarim nga shefi i Misionit të EULEX’it dhe zinxhiri i tij komandues, si dhe nga autoritetet gjyqësore të Kosovës”, thuhet në deklaratën e McGuffie.

“Duhet mbajtur në mend se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në bazë të Kushtetutës e ka autoritetin për dhënien e pëlqimit për emërimin e guvernatorit të Bankës Qendrore. Ai e ka ushtruar këtë autoritet duke respektuar plotësisht kuadrin ligjor të Republikës së Kosovës si dhe PGJS’në dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, vazhdon deklarata e Zëdhënësit të ICO’së.
E, EULEX’i njoftoi se hetimet janë përmbyllur.

“Më herët ishte bërë një pretendim lidhur me emërimin e guvernatorit të Bankës Qendrore dhe rolin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar. Si në çdo shoqëri normale, kur bëhen pretendime të tilla, prokurorët janë të obliguar për të bërë kërkime. Por është konstatuar se nuk kishte asnjë rëndësi që kjo çështje të ndiqej më tej. Pra, rasti është mbyllur përfundimisht dhe, rrjedhimisht, Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar nuk është nën asnjë formë të hetimit”, thuhet në një komunikatë të Zyrës për Informim të Misionit Europian.

Express ka raportuar të hënën se Pieter Feith është hetuar nga prokurorë të EULEX’it. Sipas burimeve të gazetës, Misioni Europian ka dyshuar se Shefi i ICO’së ka ndikuar në zgjedhjen e Gani Gërgurit në postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, derisa ka rrëzuar kandidaturën e Gazmend Lubutenit.

Në bazë të Pakos së Ahtisaarit, ICO ka të drejtë të japë pëlqimin për kandidatin që përzgjedh Bordi i BQK’së për Guvernator, por jo edhe që ai të rrëzojë kandidatura të tjera - siç ka vepruar Feith në rastin e Gazmend Lubotenit.

Prokurori kryesor i EULEX’it e ka pushuar lëndën kundër Pieter Feithit, derisa ka urdhëruar që në Regjistrin e Prokurorisë Speciale të figurojë që Shefi i ICO’së ka qenë nën hetime.

Pikërisht këtu duket të jetë brenga e madhe e holandezit.

Gazeta Express e ka siguruar letrën që Pieter Feith ia ka dërguar Shefit të EULEX’it dhe Drejtorit të CPCC’së, në të cilën ankohet pse është hetuar, derisa shfaq brengën se emri i tij do të figurojë në Regjistrin e Prokurorisë Speciale “si njeri që ka qenë nën hetime”.

Në të njëjtën kohë, në këtë letër që mbanë datën 12 Maj 2011, Feith “i sugjeron” EULEX’it të hetojë raste tjera, me theks të veçantë, ai përkujdeset për hetimet ndaj Hashim Rexhepit, Ish-Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Dokument
Gazeta Express e sjell të plotë letrën që Pieter Feith i ka dërguar më 12 Maj 2011 Shefit të EULEX’it, Xavier de Marhnac dhe Drejtorit të CPCC’së.

I nderuari Xavier,
E kam kuptuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (SPRK), në vend se të hedhë poshtë “raportin kriminal” në lidhje me disa aksione të caktuara të ndërmarra nga unë, e pa të udhës që të regjistrojë “rastin” kundër meje dhe një ish-punëtori të ICO’së, duke iniciuar kështu hetime paraprake.
Paralelisht e kam kuptuar se SPRK’ja ka filluar të tubojë informata dhe dokumentacion nga burime të ndryshme, në kuadër të përpjekjeve për të përcaktuar se a ka pasur apo jo ndonjë shkelje nga ana ime, apo edhe nga ana e ish-punëtorit të ICO’së të nenit 9 të Ligjit për SPRK’në.

“Rasti” vërtitet përreth procedurave të zgjedhjes së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe letrës të cilën ia kam dërguar Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në të cilën kam theksuar se një aplikant i caktuar duket se është i papërshtatshëm për pozitën e guvernatorit, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ligji.

Dokumentin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›