E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksponentë të PS po dezinformojnë qytetarët, alibi dhe luftë politike që nuk më përket

20-08-2013 / Gazeta 55

Reagon zonja e Parë Odeta Nishani

Zonja e Parë është shprehur se debati po instrumentalizohet për qëllime politike dhe po “degjeneron në shpifje, fyerje dhe kërcënime, duke cenuar standardin e demokracisë së vendit”. “Fatmirësisht në një shoqëri demokratike askush nuk është i përjashtuar nga debati publik, qoftë familja e Presidentit të Republikës, qoftë Presidenti vetë dhe ky është një standard tashmë edhe i demokracisë shqiptare, por kur debati instrumentalizohet për qëllime politike dhe degjeneron në shpifje, fyerje dhe kërcënime ky standard është cenuar në thelbin e tij dhe duhet të preokupohemi. Prej disa ditësh, eksponentë të Partisë Socialiste, dizinformojnë opinionin publik mbi një marrëdhënie të pavërtetë pronësie timen dhe familjes sime me ambientet ku është selia aktuale e Partisë Demokratike”, shprehet Odeta Nishani. Më tej, Zonja e Parë, garanton opinionin publik se familja e saj nuk ka asnjë marrëdhënie pronësie me selinë e PD, ndërsa shton se qeveria e rë ka mjetet ligjore dhe administrative për të hetuar këtë çështje. “Me përgjegjësi të plotë pohoj para opinionit publik që asnjë marrëdhënie pronësie e imja dhe familjes sime nuk ekziston me selinë e PD-së; gjithashtu pohoj se asnjë interes privat nuk e lidh familjen time me atë objekt dhe të ardhmen e tij. Për dy javë Partia Socialiste bëhet forcë kryesore qeverisëse dhe ka të gjitha mjetet e duhura ligjore dhe administrative për të hetuar me imtësi mbi këtë çështje”, shkruan Zonja Nishani. Duke i quajtur shpifje akuzat për këto marrëdhënie pronësie, Odeta Nishani, thotë se opinioni publik do të japë përgjigjen e merituar. “Ky nxitim për të më vendosur në qëndër të një alibie dhe lufte politike që nuk më përket, nuk më demoralizon, nuk më frikëson në asnjë çast të jetës dhe punës time të përditshme. Unë besoj tek drejtësia dhe moraliteti i së drejtës, ndaj jam e bindur që shpifësit do të marrin qëndrimin që meritojnë nga opinioni publik shqiptar dhe shumë shpejt kauza e tyre do të vetërrëzohet”, e mbyll reagimin e saj Zonja Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›