E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar” pjesë e guidave turistike

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Ekspozita “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar” ka ngjallur interesin e turistëve të huaj nga vende të ndryshme.

E çelur më 9 maj, në Ditën e Evropës, ekspozita pasqyron përmes fotove historike dhe mjeteve teknike të përdorura ndër vite punën e gazetarëve dhe fotoreporterëve të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Durim Taçi, ish-gazetar i ATSH-së, u shpreh se ajo që i mungon nga ajo kohë ishte kontakti me njerëzit dhe rendja pas lajmit.

“Kam punuar në sektorin e brendshëm. Ajo që më krijon përmallim është se jemi dëshmitarë të një shtypi që kishte letër, kishte makinë shkrimi, takonim njerëz. Kishte kontakte dhe vrapohej pas lajmit”, tha ai.

Ndërkohë, një vizitor që jeton në Gjermani, tha se ATSH është një burim lajmi neutral.

“Unë jetoj në Gjermani. Kam zgjedhur ATSH-në për t’u informuar, pasi pasqyron në mënyrë neutrale realitetin e sotëm”, u shpreh ai.

Një zonjë tha se kjo ekspozitë është një mundësi për të rinjtë që të prekin nga afër historinë e vendit.

“Është shumë interesante. Më duket një gjë shumë e bukur. Kemi nevojë për këto gjëra. Për ne është nostalgji, ndërsa për rininë është një mënyrë e mirë për të parë të shkuarën”, u shpreh ajo.

Guida të ndryshme e kanë përfshirë ekspozitën në itinerarin e vizitave për turistët e huaj.

“Jemi nga Meksika. Më duket interesante. Në Shqipëri arrita dje dhe po përpiqemi të mësojmë pak më shumë për historinë e vendit. Prandaj, mendoj se një ekspozitë si kjo është e dobishme për të filluar të kuptosh historinë e vendit tuaj. Më bëri përshtypje të veçantë prania e shumë grave të përfshira. Ishte mirë ta shikoja. Po kështu edhe sot ka gra të përfshira në këtë punë”, u shpreh turistja meksikane.

Ekspozita, e hapur nga ATSH në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), sjell një pasqyrë të plotë të historisë së lajmit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, si instrument institucional dhe si pjesë e kujtesës kombëtare.

Mes materialeve të ekspozuara gjenden marrëveshje historike të ATSH-së me agjenci ndërkombëtare, ligji i shtypit i vitit 1931, dokumente mbi transmetimin e lajmit në periudha lufte, fotografi të gazetarëve në terren, materiale që pasqyrojnë zhvillimin institucional të lajmit ndër vite, relacione mbi problemet e transmetimit të lajmeve në kohë lufte, si dhe ballina gazetash të botuara gjatë periudhës 1945-1990.

Gjithashtu, pjesë e ekspozitës janë pajisjet e para të laboratorit fotografik të ATSH-së, foto nga radiostacionet e hershme, buletinet, telegrafët dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit.

Ekspozita e ATSH, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 15

/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›