E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekspozita “Vargje në Telajo”, një amanet artistik që merr jetë

Në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u çel ekspozita “Vargje në telajo”, Orges Shijaku sjell një koleksion të përzgjedhur veprash që ndërthurin kujtimin e të atit me frymën e tij krijuese.

Ishte një dëshirë e hershme e të atit të tij Sali Shijaku që pas ndarjes nga jeta, biri i tij, piktori Orges Shijaku, të hapte një ekspozitë . Sot, ajo dëshirë është bërë realitet.

Ekspozita përfshin portrete, peizazhe, nudot e stilizuara dhe kompozime moderniste që zbulojnë një pasion të thellë për poezinë dhe artin figurativ.

Secila telajo është një udhëtim mes këshillave të të mëdhenjve të artit shqiptar si Dritëro Agolli, Ksenofon Dilo, Mumtas Dhrami e të tjerë, me të cilët Orgesi është konsultuar ndër vite.

“Babai i pëlqente shumë punët e mia, piktori i popullit Sali Shijaku dhe ishte një amanet i toj që kjo ekspozitë të bëhej. Para ndarjes nga jeta, ai pati mënuar të përzgjedhje rreth 45 vepra nga të miat” tha piktori.

Në hapësirën ekspozuese, një kënd i veçantë i kushtohet librave dhe ilustrimeve të Sali Shijakut, duke lidhur kështu pikturën me fjalën e shkruar.

“Jam rritur në varkën e piktorëve, skulptorëve. Jetoja ndërmjet librave,  takoja shkrimtarë, më sugjeronin. Çdo punë që është këtu në sallë është pak e prekur dhe nga ata”, tha piktori.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një muaj, dhe së shpejti do të pasurohet edhe me punime në qeramikë, një tjetër pasion i trashëguar brez pas brezi në familjen Shijaku.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›