Ekspozita e piktorit dhe karikaturistit, Agim Sulaj
Titulli redaksionalNjë nga tekstet prezantuese në Tiranë të veprës së Sorcias
Agim Sulaj u prezantua në ekspozitën personale në Vlorë me rreth 50 punime në pikturë dhe karikaturë. Te peizazhi në pikturë dhe humori në karikaturë, rikonfirmohet mjeshtëria e tij artistike, kultura intelektuale dhe mprehtësia në zgjedhjen e temave.
Agim Sulaj, i ikur në Itali në pranverën e vitit 1993, me një ekspozitë vetjake në qytetin e Brindisit, ai vendoset përfundimisht në qytetin e Riminit, ku jeton dhe punon me dinjitet si piktor dhe karikaturist.
Ai jeton mes dy realiteteve, prandaj dhe veprat e tij frymëzohen nga fëmijët dhe dashuria në pikturë dhe nga emigrantët dhe dhimbja në karikaturë.
Personazhet në pikturat e tij duken si pjesë e materies tredimensionale, djali duket sikur lëviz mbi gur, emigranti sikur largohet dhe pema sikur fëshfërit. Syri i tij shikon më thellë se një sy i zakonshëm duke zbuluar raporte harmonike koloristike, që e bëjnë veprën të vërtetë, në lëvizje.
Me artin e tij realist në pikturë, ai duket sikur punon me "lupë". Me penelin e tij ai përkëdhel dritën imagjinare, format natyrore, pemët, ujin dhe tokën. Në peizazhe mbizotëron deti, ngjyra blu dhe jeshile e përpunuar, okra e tokës. Ai "përjetëson" ose "ndal" realitetin.
Agim Sulaj është i veçantë në karikaturë. Që në botimet e para në revistën "Hosteni", ku na bashkonte i njëjti art e deri te çmimi i tij i fundit ndërkombëtar "Grand Prix" në Bienalen e Gabrovës në Bullgari, stili i tij mbetet i dallueshëm, me temat universale. Në këtë art ai bashkëjeton me të kundërtat e tij, prandaj veprat e tij në karikaturë kënaqin syrin dhe mendjen e shikuesit.
Që nga çmimi i parë i Ballkanit "Man and Enviroment" në Seres,Greqi 1988, ai merr të tjera çmime për një periudhë 10-vjeçare si Çmimi i madh në Kosova Cartoon Ëorld, çmime në Turqi, Portugali, Itali etj. Hap ekspozita personale në të dy fushat e artit, me teknika të ndryshme laps, akrilik apo vaj.
Për të në Itali janë hapur dyert e galerisë "Stefano Forni" që ekspozon dhe promovon vepra të artit hiperrealist.
Si çdo artist, ai është viktimë e pasionit të tij, prandaj dhe kërkon të përshtatet me realitetin tonë duke bërë jetë paralele.
Epërsia e televizionit dhe internetit, indiferenca e shtetit, largimi i karikaturistëve, mospërballimi i temave jolokale, e ka zbehur kërkesën ndaj artit të karikaturës, kjo duket dhe në shtypin tonë.
Ekspozita si kjo, jo vetëm pasurojnë jetën e qytetit por motivojnë dhe artistë të tjerë në këto gjini të artit.