E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhi kasafortën e babait me 50 milionë, arrestohet

Pranga djalit të pronarit të lokalit të dasmave në Shkozë, denoncoi krimin dy ditë më parë


TIRANE- Vodhi kasafortën e babait me 50 milionë lekë, arrestohet nga policia e komisariatit nr.1, djali i biznesmenit. Dashnor Halili 26 vjeç, banues në lagjen "Shkozë" të Tiranës është arrestuar nga seksioni i hetimit të krimeve kundër pronës në komisariatin nr.1, me akuzën e vjedhjes, ndërsa blutë i gjejnë 40 milionë lekë të pashpenzuara.


Lajmi i arrestimit të djalit të biznesmenit, është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët pohuan se djali i biznesmenti Halili, është zbuluar si autor i vjedhjes së ndodhur në banesën e tij.


Ngjarja mësohet se është denoncuar në policinë e kryeqytetit dy ditë më parë, nga Osman Halili, pronar i një lokali dasmash në Shkozë. Sipas tij, persona ende të panjohur i kishin hyrë në shtëpi dhe i kishin marrë atij kasafortën në të cilën kishte 5 milionë lekë të reja.


Ngjarja sipas denoncuesit kishte ndodhur gjatë paradites së të hënës, kur ai dhe njerëzit e tjerë të familjes nuk ndodheshin në banesë. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit të të dëmtuarit, ekspertët e policisë dhe specialistë të hetimit të seksionit të hetimit të krimeve ndaj pronës në komisariatin nr.1, kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet e nevojshme hetimore.


Nga pyetja e dëshmitarëve dhe nga këqyrja e kryer blutë kanë ngritur dyshimet e para se krimi mund të ishte i brendshëm. Nga pyetja e personave të familjes dhe e dëshmitarëve të tjerë të mundshëm, blutë kanë mësuar se i arrestuari ishte parë të lëvizte në banesë afërsisht me kohën kur mund të ketë ndodhur ngjarja.


Për këtë qëllim ai është pyetur disa herë nga hetuesit të cilët kanë vënë re se përgjigjet e djalit të pronarit të lokalit të dasmave ishin kontradiktore. Kjo ka shtuar dyshimet e tyre ndërsa specialistët e hetimit kanë kërkuar aktin të ekspertimit daktiloskopik, për të kryer krahasimin e gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes.


Përgjigjja ka qenë se një prej gjurmëve ishte e djalit të Dashnor Halilit. Pas mbërritjes së këtij akti, specialistët e hetimit të krimeve ndaj pronës në komisariatin nr.1, kanë ripyetur të dyshuarin dhe kanë zbuluar se ai ishte autori i dyshuar i krimit, duke e ndaluar atë menjëherë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›