E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka e Shehi: Bojkotojmë zgjedhjet e pjesshme

Shehi: Këto zgjedhje edhe më të manipuluara. Ndoka: Mazhoranca s'po reflekton për zgjedhjet

TIRANË - Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit, ku drejtimi i komunave dhe bashkive mbeti vakant pas mandateve, që ish-drejtuesit e tyre fituan në zgjedhjet e 28 Qershorit.


Sipas krerëve të këtyre partive, nuk është e logjikshme dhe as e moralshme për t'u bërë pjesë e këtyre zgjedhjeve, pasi ato janë vetëm vazhdim i zgjedhjeve të manipuluara të 28 Qershorit, që po kontestohen me forcë nga opozita e majtë dhe ajo e djathtë. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, deklaroi se përderisa situata politike është e përqendruar te kontestimi i zgjedhjeve politike të Qershorit, do të ishte e palogjikshme që partia e tij të merrte pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale.


"Përderisa jemi në një proces kontestimi zgjedhor për zgjedhjet, do të ishte e palogjikshme që të hynim në zgjedhjet e pjesshme lokale të 15 nëntorit, për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe bashkive.


E dyta, gjykoj që këto do të jenë zgjedhje me pasion elektoral dhe pa ndonjë logjikë të madhe", - tha dje Shehi për gazetën "Shekulli". Lideri i LZHK-së vuri në dukje se këto zgjedhje do të jenë edhe më të manipuluara se zgjedhjet parlamentare.


Ai theksoi se, mazhoranca do të ushtrojë të gjithë pushtetin e saj politik për t'i kontrolluar këto zgjedhje. "Unë gjykoj që këto zgjedhje do të jenë edhe më keq se ato të 28 Qershorit, aq më tepër që bëhen nëpër komuna. Unë jam i bindur që procesi do të jetë abuziv dhe i kontrolluar nga pushteti,"- shtoi ai. Sipas Shehit, LZHK-ja ka si synim promovimin politik të ideve, dhe nuk ka qëllim administrimin e disa pushteteve lokale. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka.


Sipas Ndokës, mazhoranca nuk po reflekton për zgjedhjet e 28 Qershorit dhe po tregohet krejt e papërgjegjshme, duke u futur në zgjedhjet e pjesshme lokale, me synimin për të manipuluar dhe vjedhur sërish votat.


"Kemi një mazhorancë të shurdhët, një mazhorancë të papërgjegjshme, e cila kërkon të përfitojë nga deformimet e votës, nga vjedhja e votës, kërkon të përfitojë nga kjo situatë duke u futur në zgjedhjet e pjesshme lokale pa rregulla të qarta loje, me idenë për t'i manipuluar dhe vjedhur përsëri votat,"- evidentoi Ndoka.


Duke iu referuar situatës së zgjedhjeve të qershorit dhe situatës aktuale politike, kur mazhoranca nuk pranon hapjen e kutive të votimit, sipas Ndokës, PDK-ja nuk mund të bëhet pjesë e një farse elektorale, kur sapo kemi dalë nga një proces i tillë zgjedhor.


"Në këto kushte Partia Demokristiane, nuk e sheh të arsyeshme që të bëhet pjesë e një farse elektorale, që të jetë shtesë e kësaj mazhorance në një garë jo transparente, me një Kod Zgjedhor antidemokratik, në kohën kur ne sapo kemi dalë nga një palë zgjedhje të manipuluara, të hyjmë dhe të bëhemi pjesë e një procesi të pistë, kjo besoj që nuk është morale për PDK-në,"- tha Ndoka.


Ky qëndrim i Partisë Demokristiane për të bojkotuar zgjedhjet, sipas Ndokës do të vazhdojë të mbetet i njëjtë edhe për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 2011, derisa pozita të reflektojë në mënyrë të hapur e të qartë për rregullat e lojës. "Ne do t'i bojkotojmë këto zgjedhje, dhe zgjedhjet e ardhshme, derisa mazhoranca të reflektojë qartazi për transparencën dhe rregullat e lojës"- shtoi kreu i PDK-së.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›