E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita e tre artisteve kosovare

Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka çelur siparin për këtë vit ekspozita e tre artistëve kosovarë të titulluar “Bogujevci”. Kjo ekspozitë është homazh për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë. Fatosi, Jehona dhe Saranda janë tre artistët e kësaj eskpozite të cilët në mënyrë origjinale rikrijojnë dramën e ngjarjes që përjetuan, shërimin dhe kërkimin e drejtësisë pas tragjedisë familjare.
Ekspozita përbëhet nga katër instalacione (“Dhoma e ndjenjes”, “Trungu familjar”, “Dhoma e spitalit” dhe “Dhoma e gjykimit”) ku shfaqen filmime krejtësisht origjinale, intervista, fotografi dhe sende personale. Kjo ekspozitë, përveç karakterit të saj dokumentues, mund të shihet edhe si një përgjigje artistike kundër dhunës, ndërsa në rrafsh universal edhe si një eksplorim i shpirtit të njeriut që i kundërvihet krimit.
Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevci janë tre nga anëtarët e familjes Bogujevci të cilët i mbijetuan masakrës në Mars të vitit 1999, në Podujevë. Që nga ajo ditë ata kanë qenë në një rrugëtim të gjatë për shërim, rimëkëmbje dhe në kërkim të drejtësisë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me datë 2 Mars 2012.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›