E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita gay në Tiranë

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Ambasada Pink ka planifikuar një sërë aktivitetesh, ndër të cilat edhe një ekspozitë. Ajo do të organizohet në datën 16 maj dhe do të përmbajë fotografi nga jeta e komunitetit LGBT (lesbike, gay, biseksual, transeksual).

Në ekspozitën e cila do të zhvillohet në ambientet e ‘Tirana Ekspres’ janë ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që ftesa iu është dërguar në kutitë postare personale.

Përveç ekspozitës me fotografi nga jeta e komunitetit LGBT, e cila është planifikuar në datën 16 maj, Ambasada Pink ka paralajmëruar organizimin e një sërë aktivitetesh të tjera në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë. Kështu, në datën 15 maj është paralajmëruar një pedalim me biçikleta përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.

Në këtë pedalim mendohet se do të marrin pjesë mbi 100 biçiklistë, ndërkohë që mundësimi i tyre është bërë nga “Ecovolis”. Gjithashtu, në datën 17 maj pikërisht në ditën kundër Homofobisë është paralajmëruar mbajtja e një parade Gay ku aktivistë të këtij komunitetit, por jo vetëm mendohet se do të bëjnë parakalim përgjatë bulevardit me veshje specifike.

Kjo e fundit, ka qenë pjesë e debateve të shumta, sidomos pas deklaratës të bërë nga kryetari i partisë së Legalitetit, Ekrem Spahia. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Spahia i pyetur në lidhje me mbajtjen e kësaj parade u shpreh se: “Nuk i ngelet gjë tjetër veçse t’i kapë në hu anëtarët e këtij komuniteti”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›