E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritja e spiunëve

Lufta e fjalëve për sulmet e Izraelit kundër Iranit po përçan kryesinë politike të vendit me shefat e ushtrisë dhe shërbimeve izraelite të inteligjencës. Është kjo një përçarje e rrezikshme në Jerusalem, e cila në fund mund të rezultojë me një luftë të vërtetë.

Diçka ka shkuar prapshtë sa i përket qasjes së Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit. Përderisa kryeministri, Benjamin Netanyahu dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Ehud Barak, po udhëheqin një qasje konfrontuese-përfshirë këtu edhe intervista dhe fjalime dramatike para audiencës në SHBA, fjalime këto të cilat kanë bindur shumë njerëz se Izraeli së shpejti mund të sulmojë objektet bërthamore në Iran-ish-shefat e agjencive izraelite të inteligjencës janë shprehur publikisht kundër qëndrimeve të qeverisë.

Së pari, Meir Dagan, i cili udhëhoqi Mossadin deri në fund të vitit 2010 dhe koordinojë politikën e Izraelit ndaj Iranit, e cilësoi sulmin kundër Iranit si “gjëja më e çmendur dhe e krisur që ka dëgjuar ndonjëherë”.

Në prill, Yuval Diskin, ish-kryesues i shërbimit për inteligjencë të brendshme, Shin Bet, kritikoi ashpër Netanyahun dhe Barakun. Ai vuri në pikëpyetje jo vetëm politikën e këtyre dy udhëheqësve, por gjithashtu edhe kapacitetet e tyre për të udhëhequr, duke tërhequr vërejtjen nga qasja “mesianike” kundrejt programit bërthamor të Iranit.

Duke pasur parasysh këto dallime, a duhet SHBA-ja dhe Irani të ndjejnë sulmin izraelit, apo duhet të qetësohen, përderisa Izraeli po preokupohet me grindje të brendshme?

Edhe pse është joshëse të mendohet se fushata e Daganit dhe Diskinit zvogëlojnë gjasat për konfrontim, në të vërtetë ajo nxjerr në sipërfaqe dy mundësi. Së pari, nëse ish-shefat e inteligjencës kanë të drejtë kur vënë në pikëpyetje kapacitetet e Netanyahut dhe Barakut, kjo nuk është ndonjë arsye për të qenë të qetë. Por, nëse Dagan dhe Diskin gabojnë dhe strategjia izraelite në të vërtetë është e llogaritur dhe e kthjellët, atëherë minimi i besueshmërisë së Izraelit, siç kanë bërë ata të dy, i bën më të mëdha gjasat për sulmet e Izraelit dhe nuk i zvogëlon ato. Sa më pak i besueshëm kërcënimi izraelit, aq më të mëdha janë gjasat që Irani ta cilësojë kërcënimin si një blof dhe për këtë arsye, Izraeli me gjasë do të jetë i interesuar që fjalët t’i mbështet me vepra.

Disa strategjinë e Netanyahut dhe të Barakut e cilësojnë si një përpjekje të qëllimshme, për të detyruar SHBA-në dhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndërmarrin aksion të vendosur, përfshirë këtu edhe sanksionet e ashpra dhe kërcënimin me sulme nga ana e SHBA-së.

Por nuk e cilësojnë të gjithë strategjinë e Izraelit si të tillë. Disa vëzhgues, si të huaj, ashtu edhe izraelitë, janë të bindur se Netanyahu dhe Barak e kanë seriozisht dhe se janë të vendosur që të sulmojnë objektet bërthamore të Iranit. Është e vërtetë se Netanyahu me dekada të tëra ka qenë i preokupuar me Iranin dhe mund të konsiderojnë ndalimin e ambicieve bërthamore të Iranit si një sfidë, e cila do të definojë mandatin e tij. Nga ky këndvështrim, retorika e Netanyahut dhe Barakut ka për qëllim që të përgatitë bashkësinë ndërkombëtare për sulmin izraelit, i cili, sipas Barakut, do të kërkojë legjitimitet ndërkombëtarë.

Në anën tjetër, edhe përkundër faktit se qeveria e Netanyahut e kontrollon ushtrinë, kryesuesit e ushtrisë, të Mossadit dhe Shin Betit janë njerëz me ndikim, fjalët e të cilëve kanë peshë në opinionin publik. Kur figura kaq të larta vënë publikisht në dyshim aftësitë e politikanëve për të udhëhequr, izraelitët dëgjojnë me vëmendje. Dhe dy ish-shefat e inteligjencës, Dagan dhe Diskin nuk janë të vetmuar në kritikat e tyre.

Ish-komandantë ushtarak, e madje edhe shefi aktual i shtatmadhorisë, duket se kanë qëndrime që dallojnë nga ai i kreut politik, sa i përket rrezikut nga kërcënimi iranian. Zëvendëskryeministri i ri dhe ish-shefi i Mbrojtjes, Shaul Mofaz, mbështeti Diskinin, para se ti bashkohej qeverisë së Netanyahut.

Duke pasur parasysh gjitha këto kritike, nuk befason fakti se izraelitët janë tejet të kujdesshëm, kur bëhet fjalë për mundësinë e sulmeve të njëanshme kundër Iranit. Sipas një ankete më të re, vetëm 19 për qind e izraelitëve mbështetën sulmin kundër Iranit, pa mbështetjen e SHBA-së, ndërsa 32 për qind e të anketuarve kundërshtuan sulmin.

Duke pasur parasysh zgjedhjet presidenciale në SHBA, në nëntor dhe negociatat mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermanisë, gjasat për sulmin e Izraelit kundër Iranit momentalisht janë të vogla.

Or, nëse negociatat nuk prodhojnë rezultatin e dëshiruar, Izraeli mund të rikthehet në shtegun e luftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›