E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita në Amerikë, eksponatet në Kosovë

Edhe pse e paralajmëruar, hapja e ekspozitës tematike “Amerika për Kosovën”, e paraparë që në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit të këtij viti të mbahej në Washington dhe në New York, nuk ka ndodhur fare. Mund të tingëllojë e pabesueshme, por munguan eksponatet.

Sipas këshilltarit në Muzeun e Kosovës, dhe njërit prej nismëtarëve të kësaj ekspozite, Dr. Riza Sadikut, kjo gjë ka zbehur imazhin e Qeverisë të Kosovës para përfaqësuesve të Administratës Amerikane dhe para përfaqësuesve të mërgatës shqiptare.

“Sipas informatave që posedoj, përfaqësuesit e Ministrisë të Mërgatës së Kosovës (e sapoformuar dhe e pagëzuar në gjuhën angleze si Ministri e Diasporës), z. Ibrahim Makolli (ministër) dhe Naim Dedushaj (zyrtar), gjatë muajit nëntor dhe dhjetor kanë qëndruar në SHBA, për të kontaktuar me mërgimtarët, për shënimin e Ditës së Flamurit”, sqaron z. Sadiku, në letrën e tij drejtuar gazetës Express.

Sipas Sadikut, ata (ministri Makolli dhe z. Dedushaj) “kanë bërë marrëveshje me disa përfaqësues të Administratës Amerikane - miq të shqiptarëve, në mesin e të cilëve edhe me kongresistin Eliot Engel, (i cili Ditën e Flamurit e ka kremtuar me shqiptarët në Chicago, dhe me ç’rast i ka ftuar veprimtarët e dalluar të mërgatës shqiptare të marrin pjesë në hapjen e ekspozitës në Washington, më 30 nëntor – një informatë kjo telefonike e Hafëz Jusuf Azemit, më 27 nëntor 2011 Çikago) për hapjen e ekspozitës ‘Amerika për Kosovën’, më 30 nëntor në Capitol Hill në Washington (një ditë), dhe prej 2-4 dhjetor në New York, në Komunën Yonkers, gjegjësisht në Hudson River Museum”.

Informacioni i shpërndarë, eksponatet kurrkund

Si rrjedhojë, Sadiku tregon se disa ditë para se të hapej ekspozita e planifikuar, në emër të Ministrisë së Mërgatës të Kosovës, ministri Makolli ua shpërndau informacionet e nevojshme personaliteteve të ndryshme të administratës amerikane dhe dha tyre të Mërgatës Shqiptare në New York e rrethinë. Mirëpo, problemi ishte se eksponatet e parapara për shfaqje në këtë ekspozitë ende po qëndronin në Muzeun e Kosovës, prej nga nuk ishin lëvizur fare.

“Në mungesë të koordinimit të punëve me kohë për përgatitjen dhe nisjen e ekspozitës për në SHBA, si dhe në mungesë të mjeteve financiare, ekspozita ‘nuk udhëtoi’ fare drejt SHBA’ve, dhe as që u hap në përputhje me terminet e parapara - as në Washington, e as në New York”, thekson Sadiku, tutje në letrën e tij, derisa pohon se a njëjta edhe sot e kësaj dite qëndron e paketuar në lokalet e Muzeut të Kosovës.

Një moskordinim i këtillë, lidhur me hapjen e ekspozitës në SHBA, jo vetëm që e komprometoi Qeverinë e Kosovës te Administrata Amerikane dhe te Mërgata Shqiptare, por - aq më keq – edhe vetë përfaqësuesit e Qeverisë të Mërgatës së Kosovës, ministrin Makolli dhe zyrtarin Dedushaj, pohon Sadiku.

“Ata madje menduan që ekspozitën ta hapnin pa katalog, për faktin se nga katalogu i botuar në 100 kopje, në shqip dhe anglisht, nuk kishte mbetur asnjë ekzemplarë. Të hapësh ekspozitë pa katalog në ditët e sotme, e sidomos në SHBA, është njësoj si të nisesh për në ndonjë shtet pa pasaportë”, nënvizon i mllefosur Sadiku. Ai sqaron se me qëllim të botimit të katalogut, në tetor të këtij viti kishte tentuar të kontaktonte me ministrin Makolli, duke angazhuar madje për këtë gjë dy miq të tij, z. Q. Mehmedin dhe z. N. Misinin, “por pa sukses”.

“Me gjasë, ministri Makolli i iku takimit me mua, për të mos e financuar ribotimin e katalogut të gatshëm për ekspozitën ‘Amerika për Kosovën’, në 290 faqe, shqip dhe anglisht, për hapjen e së cilës ekspozitë është angazhuar z. ministër i Mërgatës, dhe që ishte paraparë hapej në Washington dhe New York. Përdersa z. Makolli dhe z. Dedushaj janë shëtitur nëpër Washington e New York, duke pritur ardhjen e eksponateve nga Prishtina, me ato mjete të shpenzuara ka mundur të botohej katalogu në 600-700 ekzemplarë, pa të cilin edhe do të ishte turp që të vihej në lëvizje ekspozita ‘Amerika për Kosovën’”, përfundon Sadiku.

Me qëllim që të merrej ndonjë prononcim lidhur me gjithë rrëmujë të shkaktuar nga mossokdrinimi i qartë mes organizatorëve kosovarë, gazeta Express provoi që të kontaktonte edhe me dikë në Ministrinë e Diasporës, por - mbase për shkak se ishte ditë pushimi – kjo nuk doli të jetë e mundur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›