E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë me monedha të vjetra shqiptare

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka hapur ekspozitën me monedha dhe kartëmonedhave të Shqipërisë për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së saj. Gjatë një ceremonie solemne, kreu i Bankës së Shqipërisë i dhuroi Muzeut të Kosovës një set të monedhës shqiptare. Ekspozita u vlerësua lartë, pasi që e pasqyron historikun e monedhës dhe të kartëmonedhës ndër vite.

Me këtë rast, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, ka thënë se kjo ekspozitë pasqyron monedhën shqiptare dhe jo vetëm kaq, por tregon edhe fuqinë e madhe në zhvillimin e shtetit shqiptar.

“Kjo ekspozitë është e veçantë për shkak se, si e tillë, jo vetëm që e pasqyron monedhën shqiptare, por ajo në të njëjtën kohë flet mjaft në mënyrë shumë të fuqishme edhe për historinë e zhvillimit të shtetit shqiptar. E veçanta e kësaj është se ne flasim për një monedhë, e cila aktualisht është ndër monedhat më të qëndrueshme sot në Ballkan, gjë që e bën edhe më të veçantë, dhe kjo është falë politikës së qëndrueshme monetare të cilën është duke e udhëhequr Banka e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Kurse zëvendësministri u Kulturës, Rinisë dhe i Sportit, Hajdin Abazi, ka thënë se kjo ekspozitë ka një rëndësi të madhe edhe nga këndi i trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Ky eveniment i sotëm ka një rëndësi të veçantë në shumë aspekte, ndërkaq për ne, si Ministri e Kulturës, ka një aspekt të veçantë shikuar nga aspekti i kulturës dhe i trashëgimisë kulturore, sepse këtu kemi eksponatet të monedhave dhe të kartëmonedhave brenda 100-vjeçarit. Nëse do të shohim periudhën 1912-1925 do të shohim një variacion shumë të madh të monedhave që tregojnë edhe përpjekjet për ta stabilizuar një monedhë, të cilën sot vetëm e ka shteti shqiptar”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ministria e Kulturës është shumë e interesuar për ta kultivuar dhe për ta ruajtur traditën në të gjitha segmentet. Ai ka thënë se kjo ekspozitë me monedha të vjetra shqiptare pasqyron edhe vështirësitë, pengesat dhe të gjitha përpjekjet e mëdha që monedha shqiptare të stabilizohet dhe ta ketë identitetin e vet.

Ndërkaq, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka thënë se një nga çështjet kryesore të Qeverisë së Ismajl Qemailit, pas shpalljes së pavarësisë ishte edhe formimi i një banke qendrore.

“Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, një ndër çështjet kryesore të qeverisë së tij ishte formimi i një banke qendrore, e cila do të zhvillonte në përputhje me normat e bankave ndërkombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemail bei Vlora e konceptoi krijimin e bankës së parë qendrore shqiptare si një institucion financiar, i cili do të duhej t’i jepte jetë zhvillimit ekonomik dhe njëkohësisht stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i lumtur që sot me anë të kësaj ekspozite sillen në vëmendjen e publikut ngjarje të tilla historike që janë njëkohësisht edhe meritat e Ismajl Qemalit, të cilat e vendosin atë në piedestalin e merituar për shkak të aktivitetit të tij, por njëkohësisht edhe të vizionit të tij si shtetar dhe jo si idealist romantik.

Fullani ka shtuar se për shqiptarët nëntori i 1912-ës ishte fatprurës, i cili do t’u sillte shqiptarëve pavarësinë, do të sillte edhe flamurin shqiptar, do të sillte bashkë me flamurin edhe një himn kombëtar, do të sillte edhe shqiponjën dy krenare, e cila më vonë u bë, jo vetëm simbol i shqiptarëve kudo, por njëkohësisht u bë edhe simbol i monedhës kombëtare shqiptare.

Në fund të fjalimeve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i dhuroi Muzeut të Kosovës një set të monedhës shqiptare.

Ekspozita është e hapur në Muzeun e Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›