E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë për Kosovën në Galerinë Kombëtare të Arteve

Ekspozita vjen në muajin e pavarësisë së Kosovës, nga tre të mbijetuarit Fatos, Jehona dhe Saranda Bogujevci, si një shembull se si të jetojmë, si të tejkalojmë humbjen dhe të rindërtojmë jetën tonë.

“Bogujevcit, histori pamore” është çelur në Galerinë e Kosovës në tetor të vitit që shkoi, si një homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës. Ekspozita do të qëndrojë në GKA deri në 2 mars. Po në muajin mars, kjo ekspozitë do të pasohet nga një ekspozitë personale e Orion Shimës (7 - 8 prill).

Shima tha se një pjesë e rëndësishme e kalendarit vjetor të GKA-së do të jetë brenda formatit të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Në këtë kuadër do të çelen edhe ekspozitat personale të Ibrahim Kodrës dhe Lin Delisë, artistëve shqiptarë jo aq mirë të prezantuar në vend.

Në periudhën prill-maj, në sallën e ekspozitave të përkohshme të GKA-së do të çelet ekspozita vetjake e Ibrahim Kodrës në bashkëpunim me Fondacionin “Ibrahim Kodra” në Milano. Gjysma e veprave të Kodrës ndodhet në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë. 50 për qind e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër nga “Fondacioni Kodra”.

Në muajt qershor-korrik, GKA do të çelë ekspozitën kushtuar artit bashkëkohor britanik, 1980-2011.

Stinën e re artistike GKA do ta çelë me ekspozitën vetjake të Lin Delisë në bashkëpunim me Muzeun “Carlo Cessi” të qytetit të Antrodokos në Itali. Kjo ekspozitë, në kuadër edhe të 100-vjetorit të Pavarësisë, do të qëndrojë në GKA në periudhën shtator-tetor.

Muaji nëntor do t’i dedikohet përsëri Kosovës, me ekspozitën “Arti i Kosovës”. Ndërsa në muajin dhjetor, ashtu si çdo vit, do të rikthehet ekspozita-konkurs “Onufri 2012”, edicioni i 19-të.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-08 14:31
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›