Ekspozitë personale e Refki Gollopenit në Austri

Me rastin e hapjes së ekspozitës për krijimtarinë e Gollopenit fjalën e rastit e mbajtën zonja Johana Shvab dhe zonja Erika Retenbacher. Në ekspozitë morën pjesë mysafirë të shquar nga jeta politike, ushtarake dhe kulturore e Austrisë ku vlen të përmendet edhe Franc Fischer, zyrtar i lartë në Bashkimin Evropian. Me rastin e hapjes së ekspozitës ishte përgatitur edhe një program artistik muzikor dhe darkë me ushqime tradicionale austriake. Ekspozita ka karakter shitës dhe humanitar dhe me ketë rast artisti kosovar jep një shembull të mirë, duke u solidarizuar me shoqatën ‘Erika hilfe Fuer Kosovo’, duke ndarë 30 përqind të mjeteve nga shitja e pikturave, të cilat do të shkojnë në destinacion për ndërtimin e shkollës në fshatin Krushicë e epërme në komunën e Therandës.
Franc Fischer gjatë fjalimit të tij elaboroi situatën në Kosovë, duke theksuar se Kosova duhet të bëjë përpjekje të jetë më e pranishme përmes aktiviteteve të këtij lloji. Ndërsa, artisti kosovar Refki Gollopeni u shpreh me entuziazëm për suksesin e ekspozitës, duke theksuar se ndjehet mirë se shitja e punimeve po shkon shumë mirë dhe tha se është i lumtur që një pjesë e mjeteve shkojnë për një tempull të diturisë. “Dëshiroj të u bëj me dije kosovarëve të mi se me sa shumë mundim e me sa shumë punë të madhe miqtë tanë mbledhin donacione për Kosovën. I pashë me sytë e mi dhe lutëm që edhe ne vet të jemi më aktivë për solidaritet me miqtë tanë që e duan Kosovën”, tha Gollopeni.
Vetëm në mbrëmjen e parë janë shitur pesë punime të blera nga institucione të rëndësishme, me ç’rast vlen të përmendet blerja e dy pikturave nga muzeu i arteve në Telfs,tregon zonja Erika Retenbacher , e cila thekson se kjo është një dëshmi se Z. Gollopeni kultivon artin e tij shumë kualitativ dhe kreativ.
“Refkiu prezantoi Kosovën, vendin që e do shumë në mënyrë të denjë me art të nivelit të lartë dhe shpirtin e tij human”, u shpreh Johana Schvab.