E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozohen mbi 30 lloje të flamujve shqiptarë

Rreth 30 flamuj, stema, dokumente, por edhe fotografi që përshkruajnë rrugën nga viti 1912 deri më sot, u shpalosën të shtunën mbrëma në Muzeun e Kosovës. Në këtë ekspozitë që u mundësua nga Partia Socialiste e Shqipërisë, morën pjesë personalitete të shquara nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët vlerësuan se 100 vjetori i pavarësisë është momenti më i përshtatshëm që shqiptarët të bashkohen dhe të punojnë për të mirën e tyre në të dyja anët e kufirit.

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, që njëherësh ishte edhe iniciatori i kësaj ekspozite tha se njëqindvjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar është një moment në të cilin të gjithë duhet reflektuar, jo për ta shfrytëzuar në funksion të politikës së ditës dhe as për të kremtuar një madhështi, që siç tha ai “është madhështia e të tjerëve që ngritën flamurin dhe atyre që në emër të flamurit bënë vepra të mëdha për kombin tonë”.

“Nuk mund të themi që është madhështia e atyre që kanë në dorë të festojnë 100-vjetorin. 100-vjetorin ne duhet ta shfrytëzojmë si një moment të reflektimit në funksion të një amaneti dhe si një moment kur na takon që për të mirën e shqiptarëve këndej dhe andej kufirit, t’i bashkojmë forcat të krijojmë një hapësirë ku idetë qarkullojnë, dhe të biem në dakord për qëllime të përbashkëta, në mënyrë që 1912 të jetë pasqyra ku ne shohim të ardhmen tonë të përbashkët e jo thjeshtë dita të cilës ne i referohemi vetëm për të mbuluar për çfarë nuk i ofrojmë dot në të përditshmen shqiptarëve këndej dhe andej kufirit”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se vetë shumëllojshmëria e flamujve që po i shohim sot, tregon se sa e vështirë ka qenë rruga e Shqipërisë gjatë këtyre 100 viteve.

“Ne e dimë që flamuri sot është simbol i shtetit të Shqipërisë, por për neve flamuri është më shumë sesa 28 mijë kilometrat e Shqipërisë, është flamur i gjithë shqiptarëve. Sepse gjithë shqiptarët kanë kontribuar që më 28 nëntor të vitit 1912 Ismajl Qemajli ta ngritë këtë flamur në Vlorë, dhe jo vetëm për Shqipëri, por ta ngritë për Shqipërinë e katër vilajeteve që atëherë përbënin rreth 90 mijë km katrorë”, ka thënë ai.

Për hapjen e kësaj ekspozite, një kontribut të theksuar ka dhënë edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës. Palë Lekaj, kryetar i Komunës së Gjakovës dhe njëherësh anëtar i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, vlerësoi lart këtë ekspozitë.

“Është një mbrëmje e veçantë që ne sot po e bëjmë në Prishtinë dhe mendoj që ajo që duhet vlerësuar është sepse këtu në Prishtinë ka filluar dhe do të përfundojë në Vlorë. Ajo që mua më bën përshtypje tërë kjo ekspozitë është në kuadër të 100-vjetorit të mëvetësisë së Shqipërisë. 100 vite mundime, 100 vite djersë, 100 vite persekutime dhe 100 mbrojtje të flamurit kuq e zi, dhe kjo ngjyrë është dëshmuar nëpër kohëra, sepse nuk ka hapësirë ku nuk është vizatuar harta e Shqipërisë apo trojeve shqiptare me gjak dhe kjo ka qëndrueshmërinë e vet”, ka thënë ai.

Në këtë ekspozitë të pranishëm ishin shumë personalitete të njohura, si akademik Rexhep Qosja, ministra, deputetë, artistë, si dhe qytetarë. Por, në këtë ekspozitë nuk ishin të pranishëm presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, e as lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Kjo ekspozitë do të mbahet me 13 dhe 14 nëntor në qytetin e Gjakovës, ndërsa me 28 nëntor do të mbahet në Vlorë./kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›