E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimi i Shemsi Nuhiut shkak pasaporta serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se ka komunikuar me drejtues të Zvicrës rreth rastit të ekstradimit të shtetasit kosovar Shemsi Nuhiu nga shteti zviceran në Serbi dhe se ekstradimi është bërë për shkak se Nuhiu kishte edhe pasaportën e Serbisë krahas asaj të Kosovës. Kuci është shprehur se kishte dërguar disa letra në Ministrinë e Drejtësisë së Zvicrës, si dhe kishte komunikuar drejtpërdrejt me ministren e drejtësisë, po ashtu edhe me ambasadën në Zvicër. Sipas tij Zvicra ka vendosur ta ekstradojë në Serbi sepse Nuhiu, për një kohë ka pasur pasaportë edhe të Republikës së Serbisë. Por zëvendës kryemistri I Kosovës ka këmbëngulur se Republika e Kosovës dhe ministria që që ai drejton i ka kryer të gjitha detyrat e mundshme që mund të bëjë një ministër dhe jo vetëm një herë, por disa herë. Ditë më parë Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën e Kosovës në Bernë, kishin kërkuar në vazhdimësi nga autoritetet zvicerane të mos ekstradonin shtetasin kosovar Shemsi Nuhiu në Serbi. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë argumentoi se Serbia nuk ka kompetence dhe të drejtë për të lëshuar urdhër – kërkim ndërkombëtar kundër shtetasve kosovare, për dyshimin e kryerjes se veprave penale për Krime Lufte në territorin e Republikës së Kosovës, pasi kjo e drejtë hyn në kuadër të kompetencave dhe mandatit të autoriteteve Kosovare, në rastet kur ka dëshmi se janë kryer Krime Lufte në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›