Ekstradohet nga Greqia i dënuari për trafikim fëmijësh

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Interpol Tirana finalizoi me sukses ekstradimin nga Greqia të shtetasit Mustafa Saliu, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Policia njoftoi se, Mustafa Saliu është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 18 vjet burgim për veprën penale “Trafikimi i fëmijëve”, kryer në bashkëpunim dhe nëpërmjet dhunës.
Sipas policisë, gjatë periudhës 2001-2002, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria në Greqi, fëmijë të cilët janë shfrytëzuar për lypje, në rrugët e Athinës, nëpërmjet presionit dhe kontrollit.
Gjithashtu policia ka realizuar edhe transferimin nga Gjermania të shtetasit Florjan Musaj, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.
Sipas policisë, Florjan Musaj është dënuar me 8 vjet e 10 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Gjermani.
/m.q/r.e/a.f/