OSSH parashikon instalimin e mbi 14 mijë matësve inteligjentë

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) parashikon instalimin e mbi 14 mijë matësve inteligjentë në disa zona të vendit, në kuadër të zgjerimit të sistemit të matjes dhe modernizimit të rrjetit të energjisë elektrike.
Numri më i madh i tyre do të vendoset në nënstacionin e Sallmones, konkretisht 7760 njësi, i ndjekur nga Shkoza me 3560 matës, Spitalla me 1600 dhe Kashari me 1115 matës inteligjentë.
Kjo parashikohet në procedurën e re të prokurimit të hapur këtë të enjte, me fond limit prej 432 milionë lekësh. Investimi do të përqendrohet në zonat me konsum të lartë të energjisë dhe me nivele më të larta humbjesh në rrjet, me synim rritjen e eficencës teknike dhe forcimin e kontrollit mbi shpërndarjen e energjisë elektrike.
OSSH ka zbatuar investime të ngjashme edhe më herët në disa rajone të vendit, si në Durrës, ku gjatë vitit 2023, janë instaluar 1752 sisteme inteligjente matjeje në kabinat TM-TU, ndërsa në vitin 2024 u shtuan edhe 848 matësa inteligjentë tek konsumatorët fundorë të furnizuar nga këto kabina. Ndërsa në Tiranë, në fiderat F7 dhe F8 të nënstacionit të Kasharit, janë vendosur 200 sisteme inteligjente për matjen e bilancit dhe 3157 matësa inteligjentë tek abonentët fundorë.
Zgjerimi i projektit lidhet edhe me rritjen e numrit të konsumatorëve në këto zona, si pasojë e zhvillimeve urbane dhe shtimit të popullsisë, përfshirë ndërtimet e kryera pas procesit të rindërtimit nga tërmeti i vitit 2019.
Në strategjinë e saj afatgjatë, kompania synon zëvendësimin gradual të sistemit analog të matjes me teknologji inteligjente, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe direktivat e Komunitetit Evropian të Energjisë.
/r.e/a.f/