E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekstradohet nga Spanja një 26-vjeçar i akuzuar për kultivim kanabisi

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Në vijim të bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen e personave në kërkim, Interpol Tirana ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “The Wanted”, duke ekstraduar nga Spanja një 26-vjeçar të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi A. Z., 26 vjeç, banues në Milot, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet dyshohet se gjatë vitit 2023, në zonën e fshatit Kir, njësia administrative Pult, si dhe në disa zona pranë Theth, ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë ka kultivuar rreth 10 900 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Interpol Madrid, duke bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e të kërkuarit drejt Shqipërisë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›