Ekzekutimi i 22 vjeçarit Vukatana, policia shoqëron disa të dyshuar
Shkodër, 19 gusht, NOA Pas ekzekutimit me armë zjarri rreth orës 14.00, të 22 vjeçarit Elson Vukatana, pikërisht në lagjen Daniel Matlia, është prononcuar edhe policia e Shkodrës.
Burime nga kjo polici i thanë agjencisë NOA se nga veprimet hetimore rezultoi, se 22 vjeçari Elson Vukatana u qëllua me armë zjarri tip pistoletë, pikërisht në hyrje të banesës së tij.
Pas marrjes së lajmit policia e qytetit ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për zbardhjen e plotë të saj.
Lidhur me ekzekutimin e 22 vjeçarit Vukatana, në mjediset e policisë janë shoqëruar disa persona mbi të cilët policia dyshon se janë implikuar në këtë ngjarje.
Policia e Shkodrës, po vazhdon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, por ajo nuk jep ende asnjë emër, të autorit të vrasjes së 22 vjeçarit, Elson Vukatana.
mit/NOA