Ngrihen me FMN’në
Qeveria e Kosovës nuk do të përfitojë asnjë cent gjatë këtij viti, nga kreditë dhe donacionet e premtuara nga institucionet financiare.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngrirë fondet prej mbi 135 milionë euro, që është dashur t’i dalin në konto ketë vit Qeverisë se Kosovës.
Lajmin për këtë e kanë konfirmuar për Express, burime të sigurta brenda Qeverisë se Kosovës.
“Kjo i bie që gjatë këtij viti nuk do të ketë pare. Do të ngrihen 136 milionë euro.
Nesër FMN’ja, përmes një njoftimi, bën publik këtë vendim”, ka thënë i njëjti burim, të martën.
Marrëveshja stand-by, me këtë institucion financiar, sipas rregullave të FMN’së, ngrihet në ato raste kur shtetet nuk e respektojnë programin me ketë institucion. Rasti i njëjtë ka ndodhur edhe me Kosovën, e cila ‘devijoi’ nga marrëveshja, pas vendimit të Qeverisë se Kosovës për rritje pagash.
Sipas burimit, gjatë kësaj kohe, FMN’ja do ta monitorojë ecurinë buxhetore, për të shikuar kah fundi i vitit se a plotësohen kushtet për zhbllokimin e programit.
Për këtë punë, një delegacion i Fondit qëndroi në Kosovë rreth dy javë, dhe tek të mërkurën pritet që të dilet me qëndrim zyrtar.
Selim Thaqi, nga Ministria e Financave, nuk e ka konfirmuar ketë, por ka thënë se bashkëpunimi me FMN’në do të vazhdojë.
“Nuk kemi dalë nga programi i FMN’së. Do të vazhdojmë bashkëpunimin”, ka thënë ai, duke mos pranuar të flasë për detajet.
Në pritje të këtij vendimit të FMN’së, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pas mbajtjes së seancës së Kuvendit ka deklaruar për media se institucionet e vendit janë të kënaqur me bisedimet e zhvilluara në kuadër të programit me FMN’në dhe pritet të arrihet një marrëveshje.
“FMN’ja do të dalë nesër me një qëndrim dhe pastaj menjëherë do të dalë me qëndrim Qeveria e Kosovës. Ajo çka mund të them është që jemi në marrëveshje me FMN’në, do ta vazhdojmë marrëveshjen dhe jemi te kënaqur me bisedimet që i kemi zhvilluar”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, Kosova është e interesuar të jetë në kuadër të programit dhe këtë e ka të garantuar, natyrisht të respektohen gjithmonë kriteret, që parasheh FMN’ja, por edhe nevojat që i ka shteti ynë.
Pas rritjes se pagave, ka qenë fillimisht Fondi Monetar Ndërkombëtar që e ka ndalur këstin e dytë të kredisë, që është dashur t’i dalë në konto Qeverisë më 31 mars të këtij viti. Sipas marrëveshjes, është dashur të dalin 40 milionë euro. E FMN’ja për vendimin e Qeverisë së Kosovës, për rritjen e pagave për shërbyesit civilë, kishte dërguar një delegacion edhe gjatë muajit mars, ku pas përfundimit të vizitës, zyrtarë të këtij fondi patën dalë publikisht kundër këtij vendimi për rritjen e pagave. Përmes një komunikate kishin bërë të qartë se është shkelur marrëveshja.
Së fundi, qëndrim të ashpër rreth marrëveshjes kishte edhe përfaqësuesi i FMN’së në Kosovë, Hose Suleman. Ai pati thënë se Qeveria mund t’i rrisë pagat, siç ka bërë, vetëm nëse ka më shumë prodhim, shkallë më të lartë të rritjes ekonomike dhe rritje të produktivitetit. Sipas përfaqësuesit të FMN’së, rritja e pagave për sektorin publik do të mund të bëhej, por jo më shumë se 15 për qind. “Bazuar në gjendjen ekonomike, rritja e pagave do të mund të bëhej për jo më shumë se 15 për qind - madje do të ishte edhe më e ulët”, pati thënë Suleman.
Ndryshe, marrëveshja me FMN’në nuk lejon që pagat të rriten më tepër se nga 7 deri në 8 për qind. E, sipas vendimit të Qeverisë, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të lartë. Familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës do të kenë ngritje prej 50 për qind, policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë, punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit. Në projektbuxhetin e vitit 2011, për paga dhe mëditje janë paraparë të jenë 383 milionë euro, ose 23 për qind më shumë se në vitin 2010. Ndërsa, shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë projektuar të jenë 1 miliard e 434 milionë euro, apo rreth 19.3 për qind më të larta sesa ato në vitin paraprak.
Opozita fajëson Qeverinë
LDK’ja dhe AAK’ja si opozitë nuk presin që të arrihet ndonjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe për këtë fajësojnë Qeverinë. Kurse AKR si partner në bashkëqeverisje, po ashtu, nuk pret ndonjë marrëveshje por vetëm dakordim të përkohshëm me FMN’në. Burim Ramadani nga AAK’ja nuk pret të arrihet ndonjë marrëveshje e Qeverisë me FMN’në. “Ky është një dëmtim i shtetit të Kosovës, jo vetëm në humbjen e miliona eurove, por, po ashtu, edhe në raport shtetëror me FMN’në”, ka thënë ai. Përderisa Ismet Beqiri nga LDK’ja pret njoftim zyrtar nga FMN’ja, ai e kritikon Qeverinë për gjendjen në të cilën e solli vendin. Kurse eksperti i ekonomisë nga radhët e AKR, Muhamet Mustafa, jashtë marrëveshjes, pret vetëm një dakordim me FMN’në, me çka do t’i vihen disa kushte Qeverisë.