E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet prokurori i vrasjes së Bhuto-s

Gazeta Shqip

Vrasja e ish-kryeministres së Pakistanit mbetet një mister i pazgjidhur pesë vjet më vonë

vrasja pakistanNjerëz të armatosur që udhëtonin me motor qëlluan dhe vranë një prokuror që po hetonte vrasjen e ish-kryeministres së Pakistanit, Benazir Bhuto, në vitin 2007, një nga ngjarjet më tronditëse në historinë e trazuar të vendit.

Burime nga policia thanë se Chaudhry Zulfikar u vra në makinën e tij pasi la shtëpinë për të vijuar punën e vet hetimore, duke risjellë në qendër të vëmendjes destabilitetin e Pakistanit vetëm një javë para se ky vend të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme.

Ai u vra nga atentatorë të paidentifikuar. Dymbëdhjetë fishekë ranë mbi të, tha burimi i policisë. Zulfikar ishte gjithashtu duke hetuar sulmin terrorist të vitit 2008 në kryeqytetin tregtar të Indisë, Mumbai, ku 166 njerëz u vranë. India tha se militantët me bazë në Pakistan qenë organizatorët e vrasjeve që zgjatën tri ditë.

Një ekspert i sigurisë tha se Zulfikar ndoshta ka qenë nën shënjestër, për shkak se po përndiqte militantët e burgosur në lidhje me vdekjen e Bhuto-s dhe raste të tjera. Vrasja e Bhuto-s mbetet një mister. Ajo u vra në një atentat me armë dhe bomba vetëvrasëse që u shpërthyen nga një djalë 15-vjeçar në fund të një mitingu elektoral. Ajo kishte pak javë që ishte kthyer në Pakistan pas një ekzili të gjatë.

Një raport nga një grup hetuesish të OKB-së tha se nuk ishte e mundur të përjashtohej pista se vrasja mund të jetë organizuar nga establishmenti pakistanez i ushtrisë dhe sigurisë.

Bhuto ishte një kritike e ashpër e grupimeve islamike, si talebanët e Pakistanit, grupime që kontrolloheshin në një farë mase nga elementë të ushtrisë së Pakistanit. Ajo shihej me shumë dyshim nga establishmenti i forcave të sigurisë.

Spekulime të ndryshme thonë se Bhuto ishte viktimë e një komploti të organizuar nga aleatët e gjeneralit Pervez Musharaf, presidentit të kohës, i cili nuk dëshironte të lejonte kthimin e saj në pushtet.

Vrasja e prokurorit erdhi pak ditë pasi një gjykatë në Pakistan e vendosi Musharafin nën akuzë, për shkak se nuk kishte garantuar sigurinë e nevojshme për Bhuto-n para vrasjes së saj.

Ish-shefi i ushtrisë e ka mohuar përgjegjësinë për vdekjen e Bhuto-s. Ai është kthyer në Pakistan në mars pas katër vjetësh emigrimi të vetimponuar për të garuar në zgjedhjet e 11 majit. Por ai është ndaluar për të gjithë jetën për pjesëmarrje në politikë.

Ekzekutohet prokurori i vrasjes së Bhuto-s burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›