E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzistojmë me të vrarët tanë

Preç Zogaj

Revista   prestigjoze Time shpalli  në muajin dhjetor  Neriun e Vitit për  dymijë e njëmbëdhjetën.  Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe Njeriu i Vitit nuk u përzgjodh një individ, por një bashkësi  qindramilionëshe njerëzish  me emrin Protestuesi, një zgjedhje e beftë në raport me traditën, por e qëlluar dhe e drejtë  në raport me protagonizmin  e forcave që  i dhanë tonin vitit 2011.

Ky ishte viti  i marshimeve, protestave  dhe demostratave pa  precedent në pikpamje të shtrirjes së tyre  në kohë  dhe në hapësirë.  Gjithë viti u mbush me to. Pothuajse gjithë globi u përfshi.  Si një Leviathan  i kohës moderne, Protestuesi zbriti në skenën e historisw dhe lajmëroi disa nga lëngatat më të thella të planetit, duke  kërkuar  e diktuar rrugëdaljet. Protestat e fuqishme  popullore në  Tunizi, Egjipt dhe Libi  nënshkruan fundin e regjimeve autokratike-diktatoriale, duke i dhënë jetë pranverës  së lavdishme arabe, domethënë  fillimit të erës së lirisë dhe demokracisë atje. Populli  i vjetër arab  u vra  dhe vazhdon të  vritet për  lirinë. Protestuesi atje ka fituar shumë beteja, por nuk e ka fituar ende luftën.

Viti 2011 thirri ndërkaq në skenë  kortezhet e gjata të  protestuesve  meksikanë , amerikanë, spanjollë, grekë, rusë, shqiptarë, e tjerë e tjerë. Sekush për një kauzë sa vendore, aq edhe universale. Meksikanët  kundër krimit të organizuar, amerikanët  kundër trajtave perverse të pabarazisë, europianët kundër krizës ekonomike, pasojë e një mashtrimi dhe fallciteti të ngritur në sistem nga elitat politike jashtë kontrollit, rusët dhe shqiptarët  kundër  autokracisë së  korruptuar që manipulon zgjedhjet për të mbajtur pushtetin dhe mban pushtetin për tu pasuruar për vete.

Thirrja urdhërore dhe gjëmëmadhe mjaft  pushtoi horizontin e vitit 2011 për të kaluar  mes fishekzjarreve të shpresës në horizontin e vitit 2012. Njerëzit në gjithë botën po  pyesin, po kundërshtojnë, po denoncojnë, po përballen, po  kërkojnë zgjidhje të reja. Koha e diktaturave dhe kastave të përjetshme po perëndon njeherë e përgjithmonë  në planetin tonë.  Por diçka thelbësore nuk po funksionon  as në vendet që  kanë përqafuar prej dekadash e  shekujsh demokracinë.  Ka  krisje, pasiguri, lëvizje tektonike. Diçka ka ngecur në mekanizmin magjik të votimit të fshehtë. Autokratët e rinj ia kanë gjetur anën ta driblojnë dhe të qëndrojnë në krye edhe kur nuk kanë mbështetjen e  mjaftueshme të qytetarëve. Njerëzit e kanë kuptuar se votimi i fshehtë nuk është më i mjaftueshëm për të  ndëshkuar papërgjegjshmërinë dhe promovuar përgjegjshmërinë. Duhet protestuar, duhet demostruar. Protestat po ravizojnë trajtat e një botë të re.

Revista Time  ka  parë një ide demokracie në të gjitha llojet e protestave të vitit 2011, pavarësisht  veçorive të tyre.  Ajo ia kishte kushtuar numrin e saj të dhjetorit   pikërisht Protestuesit, duke  përmendur shumicën e vendeve  ku kanë vluar e vlojnë ende protestat popullore. Shkrimet dhe intervistat e këtij numri special shoqëroheshin  me foto të protestuesve të ndryshëm nga  Lindja e Mesme, Afrika, Europa, Amerika , RusiaDeri edhe një qen i famshëm  që e kemi parë  sa e sa herë në demostratat e qytetarëve grekë  kishte vendin e vet, pse jo të merituar, në polifoton e madhe të Protestuesit.  Kurse Shqipëria nuk permendet. Shqipëria  duhet të ngushëllohet me një vend të supozuar në fjalën  e tjerë!   Keqardhja e mospërmendjes është e dy- tre fishtë, së pari  sepse Protestuesi shqiptar e miraton nga fillimi në fund atë që ka berë Time.  Së dyti, Shqipëria është i vetmi  vend në Europë  ku protestat e opozitës u goditën me armë  armë zjarri nga regjimi  në fuqi.  Në demostratën e madhe të 21 janarit në  Shqipëri u vranë katër qytetarë dhe u plagosen dhjetra të tjerë. Protestuesi shqiptar  është i vetmi në Europë  me shenja gjaku në ballë dhe në trup.

Është harruar Shqipëria ? Është skualifikuar? Është lënë jashtë me qëllim?  Nuk mund të themi është lënë jashtë më qëllim. Time është një prej mediave të njohura europiane që  ka shkruar mjaftueshëm  dhe me objektivitet për të  vrarët dhe të plagosurit në demostratën shqiptare  të 21 janarit  2011. Nuk mund të themi është skualifikuar. Një media kaq serjoze nuk mund të vendosë foton e një qeni  dhe të  injorojë ata që kanë dhënë jetën. Ka shumë mundësi pra që Shqipëria të jetë lënë jashtë nga  nënvlerësimi, shpërfillja,  harresa.  Nuk është hera e parë.  Nuk është hera e parë që Shqipërisë i  duhet të  kërkojë  ngushëllim në  vogëlsinë e saj.  Por nuk është e lehtë  kur ka jetë të këputura  në mes. Replika e parë që të shkon në mendje me një media të respektuar angleze dhe me një botë gjithnjë e më të shurdhër  ndaj fatit të të  vegjëlve është se ne ekzistojmë. Ekzistojmë  me të vrarët tanë. Me  Hekuran Dedën, me Ziver Veizin, me Faik Myrtaj dhe Aleks Nikën. Ata  ishin katër demostrues paqësorë që u vranë me armë zjarri  në bulevardin Dëshmorët e Kombit nga forcat e Gardës së Republikës. Kryeministrit i vendit Sali Berisha  kishte mundësi ti shikonte nga xhamat e zyrës së tij  këto vrasje dhe plagosjen e shumë të tjerëve që ishin mbedhur atje poshtë  ti kërkonin  punë, ligj, drejtësi, zgjedhje pa vjedhje. Të vrarët  ishin që të katër baballarë dhe kishin secili nga dy fëmijë të moshave të ndryshme, gjithsej tetë jetimë, që pas pak muajsh mbeten shtatë, pasi djali i madh i  Faiku Myrtajt, Bardhoshi,  vrau veten në rrethimin e pikpyetjeve dhe dëshpërimit për vrasjen e të jatit nga shteti.

Një vit  më pas  krimi që lindi i zbardhur  para kamerave  nuk është zbardhur ende  në letra. Në mungesë  të drejtësisë që po vonon,  ndoshta gratë e veja dhe nënat  kërcure të të vrarëve  luten që të vonojë po aq edhe rritja e të vegjëlve, që të mos  përfundojnë, pa dalë e drejta, në rrethimin e dëshpërimit që vrau më të madhin e jetimëve, Bardhoshin.

Aleksi, Hekurani, Faiku dhe Ziveri nuk do të ishin vrarë ashtu në SHBA, në  Spanjë, në Greqi. Madje as në Rusinë e Putinit. Kurrën e kurrës.  Zbardhja e krimit dhe çuarja e  fajtorëve në bankën e drejtësisë nuk do të ishin penguar e  vonuar kështu në SHBA, në Spanjë, në Greqi,  madje as në Rusi. Kurrën e kurrës.  Po të qëndroninfortamerikanëtdhe europianët në parimet e tyre edhe në Shqipëri, Berisha nuk do ta çonte nepër mend  të përdorte armët e zjarrit  në demostratën  e 21 janarit.  Ka diçka të rëndë në  këtë lloj oportunizmi dhe indiference që vret  njerëz dhe shpresa. Deri dje ia kemi lënë fajin mbylljes dhe izolimit për  shpërfilljen që na  ra për hise dhe për drejtuesit paranojakë e mizorë që kemi patur mbi krye.  Shpërfillja në kushtet e hapjes  lëndon më  shumë sepse na vë përballë me mallkimin fatal  të vendit të vogël. E dimë se civilizimi nuk ka në qendër madhësinë dhe numrin e  banorëve të një vendi. Ka individin, njeriun e lirë. Në këtë kuptim çdo individ është  një botë dhe çdo vend është po aq i rendësishëm.  Shqipëria është e vogël edhe sepse i duhet të luftojë me kufizimet e të mëdhenjve  për këtë çështje. Asaj i duhet të klithë dhjetë herë me shumë  që të dëgjohet. Ky nuk është problemi i një pale që proteston dhe i një pale që mbrohet. Rolet do të ndërrohen nesër. Nga  shpërfillja humbim të gjithë. Prandaj  Time, duke harruar Protestuesin shqiptar, ka harruar Shqipërinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›