E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërbaçi i rregjimit votëplaçkitës

Enver Robelli

Sulmi i policisë së Kosovës kundër qytetarëve që dolën për të protestuar në mbrojtje të një vendimi të Kuvendit të Kosovës ishte reagim i pritshëm i një regjimi, i cili pasi zaptoi institucionet e shtetit me vota të vjedhura, tash rrah shqiptarë e nesër ndoshta edhe mund ti vrasë. Dhe për këtë terror psikik dhe fizik përherë do të gjejnë arsyetim leckat publicistike të pushtetit. Pas gjithë kësaj rrëmuje opinioni duhet të shtrojë pyetje edhe për Vetëvendosjen, e cila duket se i ka ngatërruar qëllimet politike me veprime të papërshtatshme.

I.

Një pamje nga Podujeva flet më shumë se një mijë fjalë. Kur para 22 vjetësh, në një ditë dimri, policia serbe e vrau Ylfete Humollin në Lupç të Llapit, shqiptarët e Kosovës e dinin se për ta kishte nisur një fazë e vështirë e historisë ballafaqimi i gjithanshëm me terrorin e Beogradit. Kryesisht duarthatë, por në epërsi morale ndaj një regjimi kriminal shqiptarët e fituan njëherë lirinë, pastaj edhe pavarësinë. 22 vjet më vonë dhe sërish nga Llapi policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, e cila, tekembramja, dominohet nga ata që e quajnë apo e ndiejnë veten shqiptarë, i ofroi publikut të Kosovës, me apo pa dashje, skena pothuaj të njëjta si atëbotë kur u vra Ylfete Humolli. Natyrisht, rrethanat janë krejt të ndryshme, nuk mund dhe nuk po krahasohen këtu pushtetarët e sotëm të Prishtinës me sundimtarët e atëhershëm jugosllavë dhe puthadorët e tyre shqiptarë, nuk mund të krahasohet as policia e sotme e Republikës së Kosovës me milicët e atëhershëm. Por, megjithatë, nganjëherë një pamje flet më shumë se një mijë fjalë dhe publiku i gjerë televiziv i krahason ngjarjet me thjeshtësinë më të madhe të mundshme. Duket se qeveritarët e Kosovës, të cilët të shtunën e përcillnin me komoditet demonstrativ spektaklin brutal pranë pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, nuk kanë qenë të vetëdijshëm për peshën e pamjeve. Dhe si të jenë, kur kujtesa e tyre historike është rrudhur në tenderin e pardjeshëm dhe keqpërdorimin e djeshëm të arkës së shtetit.

II.

Mund të diskutohet nëse shefi i Vetëvendosjes me shokë e zgjodhi rrugën e duhur të shtunën për të protestuar në mbrojtje të një vendimi, i cili, sidoqoftë, nuk është votuar nga bashkësia lokale e Muçibabës, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. A u shfrytëzuan të gjitha instrumentet e angazhimit brenda institucioneve? A u shfrytëzuan të gjitha mundësitë për denoncim publik të të gjithë atyre biznesmenëve që sjellin mallra nga Serbia në Kosovë, ku e realizojnë ekstra-profitin? A e kanë sa duhet të qartë liderët e Vetëvendosjes dallimin mes protestës që nuk kanos rendin publik dhe nuk shkakton dëme që në fund kompensohen nga xhepi i taksapaguesve, në emër të të cilëve kjo lëvizje thotë se po proteston, dhe monopolit që ka shteti për përdorimin e forcës legjitime? (Me forcë legjitime nuk mendoj assesi brutalitetin policor të së shtunës, por monopolin shtetëror në kuptim të asaj që kanë shkruar e shtjelluar Jean Bodin, Thomas Hobbes dhe Max Weber. Është e pabesueshme që partia e lexuesve të pasionuar, siç është Vetëvendosja, të mos ketë dijeni për këtë detaj politik, filozofik dhe sociologjik). A nuk do të kishte qenë më mirë sikur aktivistët e Vetëvendosjes të shpërndaheshin para vetëshërbimeve e dyqaneve nëpër Kosovë dhe të bënin kampanjë aktive kundër prodhimeve të padëshiruara? Lëvizja Vetëvendosje pretendon të jetë shumë kreative në organizimin e aksioneve politike. Kësaj radhe, për fat të keq, ajo nuk i dëshmoi këto aftësi kreative. Shumë pyetje mund ti shtrohen drejtuesve të subjektit të tretë politik të Kosovës.

III.

Por edhe një mijë pyetje për Vetëvendosjen nuk e arsyetojnë brutalitetin e policisë së Kosovës, e cila të shtunën ose u urdhërua të veprojë ashtu si veproi ose nuk pati kush ta urdhëronte dhe e kaloi ditën duke u shfryrë në djem e vajza shqiptarë kinse në përpjekje të mbrojtjes së rendit dhe ligjit. Ata policë që tundnin kërbaçin në emër të pushtetit, që gjakosnin qytetarë, që rrihnin e burgosnin deputetë të Kuvendit të Kosovës mund të pyeten dhe kjo nuk është pyetje populliste nëse do të vepronin me vendosmërinë e njëjtë ndaj strukturave paralele në veri ose ndaj atyre serbëve që edhe gati 13 vjet pas luftës në Kosovë qarkullojnë me vetura me tabela UR, PR, PZ, DJ, GL etj.?

Është e kuptueshme që njerëzit, qytetarët anekënd Kosovës të jenë të zemëruar me këtë sjellje të policisë, e cila paguhet me para të taksapaguesve. Të shtunën reagimi i policisë ishte joprofesional, agresiv, me një fjalë: ishte keqpërdorim i ligjit nga mbrojtësit e rendit dhe ligjit. Këta janë fqinjët tanë, kushërinjtë tanë, miqtë tanë. Nuk janë armiq tanët. Edhe pse policët nuk mund ti lajnë duart tërësisht në pafajësi, mllefi i qytetarëve të Kosovës duhet të drejtohet kundër urdhërdhënësve të këtij brutaliteti. Ata kanë emër e mbiemër dhe ushtrojnë funksione në qeverinë e Kosovës. A do të bëhej hata sikur protestuesit të rrinin dy-tri ditë afër pikave kufitare? Jo. Në Gjermani njerëzit bllokojnë me ditë të tëra hekurudhën, madje lidhen me zinxhirë për binarë për të penguar transportin e mbetjeve radioaktive. Ose ndalin trafikun për të protestuar kundër ndërtimit të ndonjë autostrade. Por policia nuk ndërhyn ashtu si kjo e jona të shtunën. Çdo polici profesionale përgatit dhe zbaton planin për deeskalimin e situatës. Përdorimi i forcës është mjeti i fundit. Në policinë e Kosovës është ndryshe, sepse ajo i nënshtrohet urdhrave të një tarafi politik, i cili në kuadrin e të gjitha deformimeve që i ka bërë deri më tash ua ka kaluar të gjitha pushteteve të pasluftës duke vendosur në disa pozita udhëheqëse agjentë të nëntokës, figura të lidhura me krimin e organizuar dhe pinjollë udbashësh.

Prandaj ajo çfarë pa Kosova të shtunën ishte reagim i pritshëm i një regjimi, i cili nuk ka asnjë synim tjetër përveç se qëndrimin në pushtet me çdo mjet duke mos përjashtuar as dajakun për qytetarët, të cilëve gjoja u shërben. Dhuna afër pikëkalimeve kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë u ushtrua rrafsh 13 muaj pasi garnitura e tanishme sunduese erdhi në pushtet me vota të vjedhura. Një parlament me legjitimitet të cunguar zgjodhi një qeveri pothuaj pa legjitimitet demokratik. Rrjedhimisht një regjim i tillë dhe kjo sduhet ta befasojë askënd për të ruajtur pushtetin sot është i gatshëm të rrahë qytetarë e nesër ndoshta edhe ti vras. Tekembramja, atmosferës së dhunës dy-tri ditë para protestës i kontribuuan vetë eksponentët e regjimit, duke filluar nga kryeministri e deri te kalemxhinjtë e tij, të cilët tashmë e kanë pranuar tërësisht rolin e leckave publicistike, që zakonisht përdoren për çdo punë të fëlliqur. Por edhe për ta vlen porosia e Adem Demaçit që në vitet 90-të ia kishte dhënë një figure publike: Bacit, ti ke me u ba ikajl me e hongër krejt tirazhin e gazetës.

IV.

Në krejt këtë rrëmujë një rol të neveritshëm luajti edhe qeveria e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Çdokush mund të ketë 1001 vërejtje e kritika me vend për Albin Kurtin dhe lëvizjen e tij, por të krahasosh forcën e tretë parlamentare të Kosovës me serbët që bllokojnë rrugët në veri të vendit, siç veproi Ministria e Jashtme e Shqipërisë, është nonsens. Është primitivizëm ti krahasosh krerët e Vetëvendosjes me Zvonko Veselinoviqin, kryeshefin e kriminelëve serbë në veri, i cili madje ka marrë rrogë nga Postë-Telekomi i Kosovës, që kontrollohet nga Qeveria e Kosovës. Sjellja e Shqipërisë zyrtare është përzierje flagrante në punët e brendshme të një vendi sovran. Paternalizmi i Tiranës mbi Prishtinën ka arritur me këtë ndërhyrje kulmin dhe nuk duhet të durohet më.

Nuk është mirë që kryeministri Hashim Thaçi të vazhdojë të marrë yrnek në Tiranë për të qeverisur në Kosovë, sepse Shqipëria nuk është model, por është antimodel i demokracisë. Në verbërinë e tyre në favor të Berishës jo pak kosovarë nuk duan ti shohin edhe anët e errëta të qeverisë së tanishme në Tiranë: Sali Berisha nuk do të mbahet në mend nga shqiptarët vetëm pse gjatë qeverisjes së tij shtetasve të Shqipërisë iu hoqën viza

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›