Plehrat; politikanët dhe expertët
Lavdosh Ferruni
Të ndodhur para një reagimi popullor kundra importimit të plehrave në Shqipëri, politikanëve pro plehra dhe ca diplomatëve u ka mbetur që të mbahen fort tek fija e kashtës së expertëve. Më i freskët është prononcimi i ambasadorit të ri të Italisë, z. Masimo Gaiani, në emisionin e Ilva Tares tek Ora News. Unë kam dëgjuar opinione të ekspertëve të BE që e kanë analizuar thellësisht ketë ligj dhe e kanë konsideruar absolutisht koherent me parimet e BE, madje nën disa aspekte është edhe më shtrëngues, pra, mbron mjedisin më shumë nga sa parashikohet në direktivën europiane. Pra, mendoj se në ligj nuk ka absolutisht asnjë problem, – tha ai. Pra, Ambasadori si në skeçin e Portokallisë, nëse dikush do ti thotë se je gabim. Ai menjëherë do të thotë si në skeçin e Portokallisë: Eksperti e tha, nuk e thashë unë.
Vetë komisioneri i Mjedisit në Komisionin Europian, z. Potocnik, fjala e të cilit u komentua nga mediat këtu si mbështetje e BE-së për ligjin e plehrave dhe importin e tyre ju referua gjithashtu ekspertëve. Ai tha: mënyra se si Shqipëria po e trajton importin e mbetjeve është në përputhje me legjislacionin europian, derisa Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, apo OSCD-së. Kështu po e shohin këtë çështje edhe ekspertët tanë.
Pas ca pirueteve të tilla diplomatike me ekspertë del qeveria dhe plot kompetencë deklaron: Ligji i mbetjeve përmbush të gjitha standardet e Bashkimit Europian. Guxon dhe thotë edhe të gjitha. Mbështetur gjoja në përputhshmërinë me legjislacionin Europian qeveria ngre silogjizmin: A duan Shqiptarët të hynë në BE; a është ligji i plehrave sipas të gjitha standardeve të BE-së, atëherë ligji i plehrave është i pakundërshtueshëm se ndryshe kundërshtohet hyrja në BE e Shqipërisë.
Por le të kalojmë në terrenin e ekspertëve. Në ligjin e Plehrave, zyrtarisht Ligji nr. 10 463 datë 22.9.2011 Për menaxhimin e integruar të mbetjeve botuar në fletoren zyrtare Nr 148, datë 8 Nëntor 2011 (shih: http://www.alblink.com/skedaret/1321189574-fletore_8_nentor.pdf) në faqen e parë të tij (faqja 6825 e Fletores Zyrtare) shkruhet: Ky ligj është përafruar plotësisht me Direktivën 2008/98/KE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 19 nëntor 2008 Mbi mbetjet. Falë faktit që më se gjysma e shqiptarëve sot kanë akses në internet i ftojmë ata ti referohen kësaj direktive si më sipër në faqen e internetit http://ec.europa.eu/environment/waste/framework/index.htm Në cilëndo gjuhë të secilit vend anëtar të BE-së, cilido do të konstatoj, po të lexoj direktivën, se aty nuk ka asnjë rresht ku të flitet për importin apo eksportin e mbetjeve (ne anglisht: shipments of waste). Në ligjin tonë të plehrave importi i mbetjeve është shtuar krejt në mënyrë të qëllimshme dhe nuk është shtuar nga ekspertët, por me shumë të ngjarë nga Qeveria Shqiptare, duke i detyruar ekspertët të bëjnë një gjë të tillë. Ndryshe, ekspertët, të cilët kanë arritur të mashtrojnë Parlamentin se në këtë ligj kanë bërë përafri të plotë të direktivës së BE-së duhet ti kalojnë drejtësisë. E ftojmë gjithashtu lexuesin shqiptar ti referohet dokumentit kryesor të Bashkimit Europian që rregullon import-eksportin e mbetjeve, i cili përbëhet nga plot 185 faqe (REGULATION (EC) No 1013/2006 (OF THE EUROPEAN PARLIAMENT AND OF THE COUNCIL of 14 June 2006 on shipments of waste). Shih : http://trade.ec.europa.eu/doclib/docs/2006/october/tradoc_130521.pdf
Por Shqipëria nuk ka asnjë shans që të adoptojë, qoftë dhe pjesërisht rregulloren e BE-së për import të mbetjeve të paktën për një dekadë, nëse nisemi nga mendimi që ligji të zbatohet. Por duket qartë se grupime të plehrave në bashkëpunim me qeveritarët shqiptarë duan pikërisht të kenë një ligj që nuk mund të zbatohet e kështu për të pasur mundësinë për të zbarkuar lehtësisht plehrat e botës në Shqipëri dhe për të rritur e ndarë fitimet e mëdha që sjell depozitimi i tyre në një vend tjetër, në këtë rast në Shqipëri. Të mos harrojmë se ekspertët e kanë hequr ndalimin e depozitimit në ligjin që sapo miratuan, pra depozitimi është jo i ndaluar në territorin e Shqipërisë. Në ligj lejohet edhe importimi i mbetjeve bashkiake për djegie (merak i Fatos Nanos ky qysh nga viti 2004).
Por nuk mund të mos kujtojmë lexuesin se legjislacioni i BE-së për mbetjet i jep të drejtën çdo vendi të aplikojë ndalimin e importit të mbetjeve, nëse është anëtar i Konventës së Bazelit dhe Shqipëria është anëtare e kësaj Konvente dhe ka të drejtën e plotë ti thotë jo importit të plehrave. Qeveria e do importin e plehrave, po populli? Deri tani në çdo 10 qytetarë 8 deri 9 qytetarë janë kundra. Ekspertët kanë kohë mjaft të bindin qytetarët deri në ditën kur ata do të shkojnë në referendum, se importi i plehrave i bën mirë shëndetit të tyre, i pasuron ata dhe e zbukuron mjedisin Shqiptar. Nuk ka rrugë tjetër veç referendumit.