E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elani i Mimozës

E rritur në një mjedis fanatik shqiptar në Maqedoni, Mimoza Veliu emigroi për të takuar një tjetër kulturë, e ndryshme nga e vendit të saj.


Dy vitet e fundit fotografia e saj është shumë e pranishme në hapësirat shqiptare. Por nuk harron rrënjët e thella tek e kaluara.


Pas ekspozitës "Delirium" i shkëputëm Mimozës në Tiranë këtë rrëfim për vendlindjen, babanë, femrën dhe për faturën e të emancipuarit dhe të jetuarit në Perëndim


Vendet ku shkojmë, njerëzit që takojmë, shijet që kultivojmë, filmat që shikojmë, rrobat që veshim, nuk mund të jenë thjesht zakone apo shtytje të orientuara prej kulturës dhe momentit.


Pas vetëdijes së aktualitetit apo të modës është një vetëdije më e vjetër se arritjet tona, e cila është ushqyer me gjirin që është thithur; me zërin "edukues" të babait që ka thirrur, ulëritur, sëmbuar apo përkushtuar; me shkollën e provincës; me fytyrat e moshatarëve të vegjël shkollarë; me fushat që janë thjesht fusha me bar dhe të hapura poshtë qiellit; me rrugët e ngushta për të kaluar familjarët dhe dikur ndonjë makinë, rrugë që përfundojnë gjithmonë në shtëpi.


Tek individë që vijnë nga shoqëri pak të hapura ndaj zhvillimeve të kohës, është më e kollajtë që familja, shkolla, qendra e provincës, mësuesi i parë, të lënë gjurmë të forta, të cilat kur përballen me një mjedis urban dhe kërkesa rreptësisht materiale, frenohen, shtypen, tëhuajzohen dhe përshtatja duket i vetmi mjet për të shuar luftimin mes kësi forcash. Sheshi i kësaj lufte është trupi.


Po ta përshkruanim si ndihet një trup i tillë që "ka lënë fshatin për qytetin" (kupto: pasioni instiktiv që është për njohjen individuale të botës dhe kultura si demonstrim i kontrollit mbi çdo kufi njerëzor) gjendja është e ngjashme me atë gjendjen e një njeriu me pasaportë që kërkon të marrë një vizë.


Një njeri me pasaportë, d.m.th., një njeri i identifikuar me emrin e babait, ngjyrën e syve dhe shenja të veçanta në trup, në momentin që kërkon një vizë, është një identitet i lëkundur, i huaj për veten, një inferior.


Në një të ardhme, në rastin më të mirë, me vullnet dhe sigurisht edhe fat, prej këtyre shenjave që lëmë pas kur vijmë në një botë më të madhe e të qytetëruar, lëshohet një energji krijuese, "elan i individit" e quan personazhi i intervistës, të cilit i kushtohet kjo introduktë. Mimoza Veliu. Ky emër është shfaqur papritur në mjediset shqiptare të fotografisë këto dy vitet e fundit, por rrënjët i ka të thella.

Mimoza si ka qenë vendi ku ke lindur?


Kam lindur më 1979-ën në Tetovë, nga prindër myslimanë, por me një frymë shumë ateiste. Babai ka qenë i interesuar për një lëvizje shqiptare në Maqedoni, një lëvizje e influencuar nga sistemi komunist i Shqipërisë. Nisur nga ky influencim, ai na ka rritur me një frymë krejt tjetër nga ajo që ka qenë dhe është stereotip i të jetuarit në Maqedoni.

Ishte ky nacionalizëm, domethënë, të duash në këtë formë vendin prej të cilit ti je shkëputur dikur me dhunë?


Unë do thosha më shumë patriotizëm. Familja ime ka qenë e hapur ndaj kulturave të tjera. Mirëpo kaq shumë e ka dashur të qenit shqiptar sa...


E vështirë të kuptosh si spektator i Shqipërisë një rrjedhë të jetës që ka një familje shqiptare andej kufijve.


Unë them që në Maqedoni, në kohën kur unë kam lindur dhe jam rritur, ke pasur të bësh me dy lloj njerëzish: ata që kanë pasur një vetëdije kombëtare dhe e kanë ruajtur me fanatizëm, duke rrezikuar dhe burgun, siç ka qenë rasti i babait tim; dhe ata që nuk e kishin këtë vetëdije.

Si përjetoheshin në familje këto zhvillime që kishin lidhje me atdheun?


Nga fëmijëria mbaj mend vizitat në burg tek babai. Na merrte në prehër dhe na thoshte që duhet të lexojmë.


Nëse kam pasur një privilegj si tetovare, kjo ka qenë rëndësia që i është dhënë librit në familjen time, sado që biblioteka jonë ishte e vogël, e kufizuar nga tema, por më mirë se hiç. Nga ana tjetër e kemi pasur "të ndaluar" nga babai që të futemi në xhami apo të praktikojmë fenë.

Si e predikonte ai këtë gjë?


Si fillim u referohej parullave patriotike "Feja e shqiptarit është shqiptaria".

Ke treguar se pjesë e kësaj biblioteke kanë qenë librat e Enver Hoxhës.
Në pamundësi për libra të tjerë që vinin nga Shqipëria në mënyrë legale apo ilegale, kanë qenë këto librat që kemi pasur.

Po leximet e tua me çfarë lidhen?


Unë nuk kam arritur të shoh shumë nga kjo bibliotekë edhe ngaqë në kohën kur është marrë në burg babai dhe të tjerë të familjes, këto janë konfiskuar dhe nuk ka ngelur më gjë.

Për sa kohë u dënua babai?


Gjashtë vjet, për mbajtje të materialit propagandues nacionalist, për organizime dhe hedhje parullash kombëtare.

Ti çfarë mend nga kjo propagandë e babait?


Mbaj mend atë citatin nga një fjalim i Enver Hoxhës në Parlamentin shqiptar, të cilin e dëgjonim gjithnjë të përsëritej në kasetofon: "Iu them serbëve mos luani me zjarrin, se po filloi zjarri do digjeni vetë në të". Babai im dhe shokët e tij mendonin se gjithçka që vjen nga Shqipëria është e mirë dhe Shqipëria është shpëtimi ynë.


Unë nuk e kam idenë për politikën, por them se ai dhe shokët e tij kanë qenë shumë pak të informuar për çfarë ndodhte në Shqipëri. Sepse një sistem të cilin nuk e ke provuar në lëkurën tënde, nuk mundet asnjëherë ta njohësh në thellësi. Ata kanë patur më tepër këtë ndjenjën për mëmëdheun sesa ndjenjën për Enver Hoxhën.

Asnjë nga familjarët e tu nuk ka qenë në Shqipëri?


Asnjëherë. Veç kësaj, babai mendonte se çfarë bëhet për femrën në Shqipëri për barazinë gjinore, është diçka shumë e bukur. Ndërkohë, në Maqedoni, me mungesën dhe ndalimin e shkollimit shqiptarët po shkonin drejt asimilimit.


Dhe për të mos u asimiluar, pikë synimi kemi pasur atdhedashurinë. Kjo është përzier me atë që të njohësh apo të mos njohësh një sistem, apo të kesh iluzione.


Ti the që Shqipëria ishe pikë referimi për emancipimin e femrës. Cili ka qenë statusi i femrës, ashtu siç e mban mend ti, në kohën që burrat merreshin me çështjet e atdheut?


Gjithmonë them se kam pasur fatin të rritem jo me një frymë fanatike religjioze, siç është rasti me shumicën e familjeve që akoma mbas kaq vitesh, në Maqedoni, përveç "Kuranit", nuk kanë një libër në shtëpi.


Ata që kanë ndjerë nevojën e shkollës dhe kanë pasur një lloj dashurie për librin, kanë qenë të paktë. Nën hijen e shumicës edhe këta nuk kanë arritur të shpërthejnë aq sa do të donin, prandaj janë persekutuar, shoqëria i ka mbajtur larg, sepse janë quajtur prishës të rehatisë. Njerëz si babai im, ua ka prishur rehatinë atyre që nuk u ka interesuar më shumë, përveçse shkuarja në xhami.


Shkurt, pozita e femrës ka qenë, fatkeqësisht, gjithnjë e keqe. Edhe sot shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Femra është ajo që nuk merr vendime, që gjithnjë pranon vendimet e të tjerëve dhe nuk guxon, madje nuk dëshiron të protestojë.

Ti pate guxim që arrite të largohesh një ditë nga Tetova për në Perëndim?


S'ka qenë aspak e lehtë. Me largimin nga Tetova unë i kam vënë familjes dhe shoqërisë sime një pikë turpi, po të kesh parasysh që nuk jam laruar për arsye martese apo për një arsye tjetër, por jam larguar për arsye të emancipimit.


Është dashur të kalojë një kohë që ata të pranojnë se nuk ia kam nevojën një kujdestari mbi kokë për të bërë rrugën time që është e ndershme, e moralshme. Është dashur kohë të binden se nuk jam në rrezik si femër.

Përse nuk është e vetëkuptueshme kjo gjë?


Për një femër nuk është. Mungon guximi tek vajzat, sepse kanë kaq shumë frikë. Mendoj që frika është gjëja që e shkatërron jetën e një njeriu. Mua më ka shtyrë përpara mungesa e frikës.


Në momentin që ti ke frikën se do dështosh, se do dënohesh, se do keqkuptohesh, s'bën një hap përpara. Mbase e kam nga babai këtë, se dhe ai nuk ka pasur frikë kur i hynte të gjitha atyre rreziqeve.


Unë u hyra rreziqeve të një natyre tjetër, dola në një vend kapitalist ku po të filloj të flas për gjëra që nuk më pëlqejnë, janë me bollëk. Po në fakt, mendoj se është gjëja më e bukur që kam bërë në jetën time.


Në vitin dymijë e dy, ti u vendose në Gjermani?


Po, fillimisht në Këln, u vendosa tek të afërmit e nënës sime. Kisha një ftesë nga një panair libri. Sapo kisha botuar një libër me poezi. Shfrytëzova këtë rast që të shkoj, natyrisht pa lejen e familjes, që ndryshe nuk do të ma jepnin. Nuk u ktheva më. Ka qenë rrugë e gjatë, e lodhshme, por e kam ditur që nuk dua të kthehem.


E para sepse kam dashur të njihem me një kulturë tjetër dhe të arrij të gjej mesin mes kulturash, dhe e dyta, në Tetovë nuk kam arritur të gjej përkrahje për të zhvilluar jetën time artistike siç kam dashur unë ta zhvilloj. Mbase do të kisha krijuar më shumë në Maqedoni, sepse, ndërkohë, në Gjermani kam krijuar shumë, shumë pak.


Kam qenë e angazhuar me punë praktike, me mësimin e gjuhës, shkollën, dokumentacionin, lejen e qëndrimit. Nuk mund ta mohoj se në Tetovë ka qenë një periudhë shumë e bukur kur unë e paralelizoja jetën që bëja me jetën e ëndrrave, edhe pse kam qenë gjithnjë jo dakord me shumë autoritete në jetën time si prindërit apo mësuesit.


Kam nostalgji për vendin nga vij. Me gjithë të mirat, Gjermania më ka ofruar edhe një të keqe: kam humbur nga temperamenti, kam frikën se jam futur pak në botën e tyre dhe nuk e vërej...

Frikë ngaqë je futur në botën "e tyre"?


Që jam bërë më e ftohtë, më racionale.

Edhe ke studiuar.
Kam studiuar shkenca politike një vit, sepse pastaj erdhi dhe lindja dhe ndarja nga burri në Berlin. Ishte e vështirë, sepse akoma ballafaqohesha me gjuhën dhe me dokumentacionin, lejen e qëndrimit.


Ndërkohë që formoheshe ndërtoje dhe jetën familjare?


Sado që këto nuk do t'i kisha bërë në këtë mënyrë sikur të ktheja kokën mbrapa, jam një natyrë që kur gjërat ndodhin, i pranoj dhe shikoj përpara. Jam e lumtur që kam një njeri, i cili nuk më dëshpëron asnjëherë dhe ky është djali im.


Gjithë kjo bisedë ishte sepse papritur, këto dy vitet e fundit, shfaqet një emër në fotografinë shqiptare, Mimoza Veliu, dhe rrënjët e saj janë shumë të thella. Përse u ndale tek fotografia?


E dua të bukurën, e dua artin më shumë nga ç'arrij të shprehem. (Kam qenë aq praktike sa bota ime iluzore mbaroi ose të paktën për një periudhë pauzoi). Sikur të merresha paralelisht dhe me atë botën time të ëndrrave, nuk do isha në gjendje që ta kanalizoja rrugën time në një vend kaq agresiv, kaq kapitalist, kaq brutal, kaq vrasës, siç është Gjermania.



Që do të thotë?


Që do të thotë se unë duhej të rrija me sytë hapur dhe të mos ëndërroja. Të harroja artin, iluzionet, idealizmat e mia, të luftoja dhe kam luftuar për një të drejtë jetese në Berlin.


Sa herë që ulem në një bar në Berlin, pi kafe dhe shijoj diellin dhe them se në qoftë se shumica mendojnë që është e vetëkuptueshme të rrish, të pish një kafe në Berlin, unë jam fakt që është diçka shumë e lodhshme, por më bën krenare.


Shumica e gjermanëve nuk e kuptojnë ç'do të thotë të mos kesh të drejtë të jetosh në një vend që t'i ke zgjedhur. Tani e kam këtë të drejtë të jetoj.


Cili është statusi yt?


Jam qytetare e rëndomtë e Gjermanisë, me leje qëndrimi të përhershme dhe, në qoftë se do të doja, mund të ndërroja nënshtetësinë.

Kthehemi tek fotografia...


Është një medium më praktik se poezia. Kështu e fillova, kur pashë që rezultati që jepja më bënte të ndihesha mirë, më ushqente.


Kam dëshirë t'i provoj vetes se bëj diçka që vlen. Në fillim nuk e kisha menduar se punën time do ta shohin të tjerë. Fotografia ka qenë një autosugjestion, një terapi për t'i thënë vetes vlen. Në Gjermani kam pasur jo pak situata ku e kam ndjerë veten të pavlefshme.


D.m.th., s'kam ditur gjuhën e atij populli ku jetoj, gjithmonë jam ballafaquar me një burokraci makabre që ka bërë çmos për të më kthyer mbrapa dhe punët që kam bërë kanë qenë një lloj motivimi për t'i thënë vetes mbase nuk vlen për të tjerët, me të cilët ke të bësh çdo ditë, por vlen për vetveten.


Ke fituar "Gjon Milin" me portretet e fëmijëve të Krushës dhe në të njëjtën galeri nacionale të Prishtinës, ke hapur ekspozitën personale "Delirium".


Duket sikur nëpërmjet fotografisë përmbush një detyrë qytetare si artist, jep portretet nga një komunitet ku ka ndodhur një dramë e madhe dhe, nga ana tjetër, ti merresh me veten tënde, me trupat dhe me vendosjen e tyre subjektive në raport me mjedisin. Na fol pak për këta kufijtë e përmbushjes së një detyre dhe e shprehjes së vetvetes ashtu siç ti do.

Një nga dobësitë e mia si fotografe është se akoma nuk po përqendrohem në një zhanër. Jam akoma në një valëzim të jetës, gjë që reflektohet dhe në fotografi: herë ndihem e preokupuar me tema sociale dhe herë me tema psikologjike. Do ta ndjeja veten shumë të kufizuar nëse bëja vetëm njërën apo vetëm tjetrën.


Ke thënë që ti je pro teknologjisë në atë masë sa të mos dëmtohet shpirti i subjekteve të tua.


Ky është një diskurs për fotografinë qysh në origjinë të saj, kur fotografia po dilte krahas pikturës. E njëjta gjë është edhe tani me fotografinë analoge dhe fotografinë digjitale. Ky proces është i pashmangshëm.


Realizimi teknik i fotografisë në kompjuter është pjesë e fotografisë digjitale. Por gjërat nuk duhen tepruar, sepse kur hyn thellë në këto programe, harron ta shikosh me një sy tjetër fotografinë.

Ti çmon një shqiptar fotograf, Gjon Milin.


Disa foto të Gjon Milit. Jam e magjepsur nga mjeshtëria e përdorimit të dritës dhe nga fotot që ka bërë në teatër. Mbase edhe influenca e tij ndihet tek këto modelet e mia që i hedh në ajër dhe kam dëshirë t'i largoj nga graviteti.


Por më pëlqejnë edhe fotografitë reportazh të "World Press Photo"-s. Unë konstatoj se fotografinë e mirë e bën dalja në pah e shpirtit të një njeriu dhe jo vetëm konturet e trupit. E dua shumë portretin. Të arrish të lexosh nga brenda çfarë ka menduar personazhi yt dhe të transmetosh diçkanë e tij të brendshme.


Ti ke folur për një projekt, një album për shqiptarin.
Është një ëndërr e imja që dua ta realizoj. Ka mundësi që të shtyhet pak. Nëse do duhet, do ta financoj edhe vetë.

Si do ishte ky shqiptari yt?


I shumëllojshëm, ashtu siç është në fakt. Duke u nisur nga religjionet që i kemi të ndryshme, nga viset rurale, urbane, që i japin fizionomisë një pamje tjetër dhe nga mënyra e të jetuarit, nga veshja që e ke tjetër në Maqedoni, tjetër në Kosovë, tjetër në Shqipëri, po edhe nga shtresat, nga politikanë deri edhe tek njerëz që nuk kanë një kulm mbi kokë. Dua të tregoj që nuk ka stereotip për të qenit shqiptar.


Do të jetë një botim në gjermanisht.


Kam marrë shkas nga ajo që flitej në Gjermani për shqiptarët. Ka vende në Gjermani ku jetojnë vetëm shqiptarë të Maqedonisë dhe ky qytet krijon një stereotip se si duhej të ishte shqiptari.


Në Gjermani ekziston vetëm libri me portrete nga Shqipëria i Jutta Benzenbergut, s'ka albume fotografike që të portretizojnë shqiptarët.


Dua të them se shqiptarët janë të ndryshëm dhe s'mund të thuash që janë të tillë apo të këtillë. Dua ta nxjerr shqiptarin jo ashtu siç është, sepse askush nuk mund ta bëjë, por ashtu siç do mund të ishte.

Kur kthehesh në Maqedoni çfarë vë re. Aty ke shtëpinë apo jo?


Shtëpia ime është Berlini. Origjina ime është Shqipëria, sepse jam shumë e lidhur me Shqipërinë. Kur më pyesin në Gjermani se çfarë jam dhe nga vij, megjithëse pyetja më bëhet nga cili vend vjen, gjithmonë përgjigjem: jam shqiptare. Dhe me këtë nuk gënjej.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›