E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti Musliman: Gjykata na mori pronën

Muslimanët pretendojnë se kanë dokumentet për rreth 700 m2 truall dhe disa ambiente në kryeqytet


Sipas KMSH, Gjykata e Tiranës ka vendosur padrejtësisht kalimin e pronësisë tek një kompani private


TIRANË- Problemet me pronat nuk kanë të sosur për Komunitetin Musliman të Shqipërisë. Përfaqësues të tij reaguan dje ashpër ndaj një vendimi të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, i cili i kalon pronësinë e një trualli dhe ambienti në qendër të kryeqytetit, një kompanie private.


Komuniteti pretendon se prona prej 700 metrash katrorë dhe ish-bodrumet e Mapos nr. 2 pranë ish-disko Albania janë në pronësi të saj që në vitin 1938 dhe për këtë ai disponon të gjith dokumentacionin e nevojshëm për të provuar atë.


"Gjyqtari që drejtoi procesin ka gabuar rëndë, me dashje duke vendosur masën për ekzekutim të përkoshëm mbi pasurinë e Komunitetit Mysliman, i cili e ka me certifikatë pronësie, dhe ia kalon në posedim një kompanie private, që nuk ka asnjë titull pronësie ose të drejtë të ligjshme mbi këtë pasuri",- citohet në deklaratën për shtyp të përfaqësuesve të KMSH-së.


Më tej, duke vënë në pah rrezikun që sipas tyre i kanoset sistemit gjyqësor shqiptar nga vendime të tilla, në qëndrimin e tyre zyrtar, ata shprehen se, marrja forcërisht e pronës ligjëron arbitraritetin dhe korrupsionin e gjykatës.


"Gjyqtari ligjëron arbitraritetin dhe korrupsionin e gjykatës me vendime të tilla haptazi të kundraligjshme, ku i merr forcërisht pronën pronarit të ligjshëm dhe ia jep në posedim një personi që nuk legjitimohet për shkak se nuk ka asnjë titull pronësie dhe asnjë tagër mbi këtë pasuri",- deklaruan ata duke siguruar se, do të ndjekin të gjitha procedurat përkatëse ligjore deri në rivendosjen e drejtësisë.


Argumentet


Duke argumentuar pretendimet e mësipërme, muslimanët shprehen se, prona në rrugën e Dibrës, rezulton e regjistruar në Hipotekë në emër të tyre, pasi më parë i ishte kthyer me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Bashkisë së Tiranës.


Duke vazhduar me argumentet që sipas tyre vërtetojnë se vendimi është marrë në mënyrë abuzive, në deklaratën e tyre përfaqësues të Komunitetit thonë se, trualli me sipërfaqe 700 metër katror dhe bodrumet e ish-MAPO-s nr.2, rezultojnë të regjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme me Numër Pasurie, TR-0-12, Volumi 22, Faqe 100, ZK 8150, dhe mbi bazën e këtyre të dhënave, në tetor 2006, i është lëshuar edhe certifikata e Vërtetimit të Pasurisë.


Në lidhje me këtë ngjarje, Komuniteti Musliman i është drejtuar edhe Presidentit të Republikës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryeministrit, Ministrit të Drejtësisë, Zyrës së Përmbarimit, dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare që operojnë në vend dhe mbarë opinionit publik.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›