E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan-Arrestohen për prostitucion dy shtetase nga Kazakistani, procedohet pronarja e apartamentit

Policia ka vendosur në pranga 2 shtetase nga Kazakistani që ushtronin prostitucion në dy apartamente me qira në qytetin e Elbasanit, ndërsa është proceduar penalisht 39-vjeçarja që iu kishte dhënë me qira apartamentet.

Në operacionin e zhvilluar seksioni për hetimin e trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale janë sekuestruar edhe shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.

“Nga hetimet u zbulua se 2 shtetase nga Kazakistani kishin marrë me qira dy apartamente në qytetin e Elbasanit, me qëllim ushtrimin e prostitucionit. Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja banuese në Kazakistan, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për pronaren e dy apartamenteve, shtetasen M. C., 39 vjeçe, banuese në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”. Gjatë kontrolleve këto dy ambiente u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›