E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, Basha: Bashkimi i së djathtës, moto e platformës time, të mobilizohemi për fitore

ELBASAN- Gara për kreun e ri të Partisë Demokratike, për të dy kandidatët që garojnë për këtë post, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, nisi pasditen e sotme me takimet e tyre me strukturat e PD-së në Elbasan dhe Fier. 

Kandidati Lulzim Basha njëherësh kreu i Bashkisë së Tiranës, zgjodhi që takimin e parë ta zhvillojë me demokratët e qytetit të Elbasanit, ku në zgjedhjet e 2009 drejtoi grupin e punës.

Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të PD-së, në sallën e teatrit "Skama" në Elbasan, Basha vuri theksin tek marrja e përgjegjësive për humbjen e 23 qershorit, që prodhoi një rezultat që nuk përputhej me pritshmëritë e demokratëve për sukses, teksa bëri thirrje për mobilizim të të gjithë strukturave për tu rikthyer fuqishëm në mazhorancë sa më parë.

“Bashkimi i së djathtës moto e platformës time”, theksoi Basha, me qëllim ndërtimin e një mazhorance reale për të nesërmen. 

Kandidati Basha u ndal edhe tek arritjen e demokratëve në 8 vite pushtet. Basha bëri një bilanc pozitiv të qeverisjes së demokratëve, teksa tha se PD ringriti vendin nga kolapsi ekonomik ku ishte, duke nënvizuar se ‘PD është partia e sakrificave, partia e Sali Berishës. Partia që i dhamë shpresë vendit.”. 

BASHA NË “FB”: ANËTARË TË PD JU FTOJ SOT NË SALLËN E TEATRIT “SCAMPA”
Kryebashkiaku Lulzim Basha ka shfrytëzuar faqen e tij në rrjetin social "Facebook", për të ftuar anëtarët e Partisë Demokratike në takimin e sotëm që do të mbahet në ora 19:00, në sallën e teatrit "Skama", në Elbasan.

“Të dashur anëtare të Partisë Demokratike të Elbasanit, të dashur miq. Kam nderin dhe kënaqësinë e veçante t’ju ftoj sot, me date 6 korrik 2013, ora 19:00 në sallën e teatrit “Scampa”, për një bashkëbisedim të hapur e miqësor, gjate të cilit do të kem privilegjin të diskutoj e të ndaj me ju, me të gjithë anëtarësinë e PD të rrethit Elbasan, platformën time për detyrën e larte të Kryetarit të Partisë Demokratike te Shqipërisë dhe për fitoren tone të përbashkët. Me respekt, Lulzim Basha.” - shkruan ai. 

“ZGJEDHJET”, OLLDASHI: NUK FAJËSOJ BERISHËN POR KRYESINË E PD
Kandidati tjetër për postin e kreut të ri të PD-së, ministri i Transporteve Sokol Olldashi ishte pasditen e sotme në Fier. Në këtë qark është zgjedhur dy herë rresht deputet Olldashi kërkoi mbështetjen e anëtarësisë së PD-së për garën për kreun e partisë.

Gjatë fjalës së tij Olldashi e vuri theksin tek rezultati i zgjedhjeve, duke nënvizuar se faji nuk është i Sali Berishës, por i gjithë kryesisë së PD-së. Olldashi u zotua se do të ringrejë fuqishëm PD.

“ZBRAZET” SELIA E PD NË TIRANË, BASHA SOT NË ELBASAN, OLLDASHI NˠFIERIT
Dy rivalët për pasardhësin e Sali Berishës në PD, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi nisën dje takimet me anëtarësinë e partisë për të marrë sa më shumë mbështetje në zgjedhjet e 22 korrikut. Kryebashkiaku Lulzim Basha takoi dje kreun e PD-së së Kukësit Ibsen Elezi. “Unë kam hyrë në garë vetëm për të fituar. Do të kthehem sërish tek ju për të filluar fushatën për kreun e PD, por sot jam thjesht për mirënjohjen time ndaj jush. Duhet të bëjmë gjithçka që të kthejmë PD në pushtet”, – tha Basha. 

Takimet me bazën e PD-së, Basha do t’i zhvendosë sot në qytetin e Elbasanit. Si duket ai ka zgjedhur që takimin e parë ta zhvillojë me demokratët e këtij qyteti, ku në zgjedhjet e 2009 drejtoi grupin e punës. Ai u zgjodh deputet dhe u konsiderua një rezultat pozitiv që 14 mandatet e qarkut të Elbasanit u ndanë barazim mes socialistëve dhe demokratëve. Kandidati tjetër për postin e kreut të ri të PD-së, ministri i Transporteve Sokol Olldashi do të jetë në Fier. Në këtë qark është zgjedhur dy herë rresht deputet dhe gëzon një mbështetje të gjerë tek anëtarësia e Partisë Demokratike. Por këtë herë Sokol Olldashi takon strukturat e partisë në Fier në kërkim të votave të tyre për garën e 22 korrikut. Kreu i ri i PD-së do të zgjidhet për herë të parë përmes procedurës së re “një anëtar-një votë” një ndryshim ky që do të futet edhe në statusin aktual të PD-së, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

SELIA E PD
Një ditë pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, e cila zyrtarizoi datën 22 korrik si datën e zgjedhjeve për pasardhësin e Sali Berishës, zyrtarët e PD-së pothuajse kanë zbrazur selinë qendrore të partisë. U rikthyen në PD pas humbjes së 23 qershorit, por këtë fundjavë në ndërtesën trekatëshe dje u panë shumë zyrtarë mes të cilëve ata që kishin ngarkesën e madhe të punës, gjatë këtyre ditëve, departamenti i organizimit, i cili po merret me organizimin e zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së. Por dje u panë në seli edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, nënkryetari, Astrit Patozi dhe deputeti i qarkut të Vlorës, Arben Ristani. Të tjerët duket se janë shpërndarë nëpër bazë, disa në mbështetje të kandidatit për kryetar partie Sokol Olldashi dhe disa të tjerë në mbështetje të kandidatit tjetër Lulzim Basha. Deri më datën 22 korrik, ata do të zhvillojnë fushatë në të gjitha qytetet e vendit për të tërhequr sa më shumë vota nga demokratët për të fituar vendin e Sali Berishës pas dorëheqjes nga postet partiake. Ndërkohë në një prononcim për mediat, ish- deputeti demokrat Sybi Hida, e cilësoi reale dhe të fortë garën mes Bashës dhe Olldashit. “Kjo është një garë, e cila tregon vlerat e PD, një garë e drejtë, një garë me vizione të qarta për kthimin e identitetit dhe kthimin e PD në një maxhorancë”, - tha ai, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

(er.nu/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera CV e kandidatit Lulzim Basha CV e kandidatit Sokol Olldashi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›