E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, CEZ: 24 orë energji elektrike në stinën e dimrit

ELBASAN - Të gjithë klientët e qarkut të Elbasanit nuk do të kenë asnjë ndërprerje të energjisë elektrike pergjatë stinës së dimrit. Në një konferencë për shtyp, drejtori i CEZ- Shpërndarjes në Elbasan, Merxhan Leka, deklaroi të enjten se "furnizimi me energji elektrike është i garantuar në stinën e dimrit. Nuk do të kenë energji vetëm ata konsumatorë të cilët nuk e paguajnë atë".

Duke u ndalur tek ndërprerjet e energjisë në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve, Leka pohoi se ndërprerja në këtë institucion është kryer vetëm në zyra dhe jo në pompat e Ujësjellësit, për shkak të moshlyerjes së detyrimeve që kjo ndërmarrje ka ndaj CEZ-it.

Leka tha se situata e furnizimit me energji elektrike është normale, me përjashtim të 6 komunave në rrethin e Elbasanit, banorët e të cilëve nuk i shlyejnë detyrimet ndaj kompanisë shpërndarëse. "Nuk mund të trajtohen njësoj si qytetarët që paguajnë rregullisht, ashtu edhe ata që nuk shlyejnë detyrimet. Kemi pritur komunikimin zyrtar gjatë javëve të shkuara me të gjithë kryetarët e komunave, ku ka banorë debitorë dhe i kemi paralajmëruar për gjendjen. Deri tani nuk ka ndryshuar asgjë", tha Leka.

CEZ ka investuar për transformatorët e fshatrave të këtyre komunave që janë pa energji eletrike dhe me të mbaruar investimi, transformatorët atje janë vjedhur. 

Leka sqaron se vjedhjet e transformatorëve janë denoncuar dhe banorët e këtyre fshatrave duhet të ndërgjegjësohen për të mos përfituar padrejtësisht nga pasuria e dikujt tjetër që në këtë rast nuk është vetëm pasuri i CEZ-it, por por e të gjithë atyre që duan energji në shtëpitë e tyre.
Kontrollet do të vijojnë për të gjithë ato konsumatorë që kryejnë lidhje të jashtëligjshme për energjinë elektrike, si edhe për ato të cilët janë debitorë ndaj ÇEZ, bëri të ditur kreu i këtij institucioni, Merxhan Leka.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›