“Bordi po rrjep shqiptarët”, Meta për çështjen e detit: Kryeaferë shumë e rëndë

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një konferencë për media ka kërkuar mbylljen e Bordit të Transparencës pasi sipas tij, nuk bën gjë tjetër veçse rrjep qytetarët nëpërmjet çmimeve spekulative të karburanteve. Meta thekson se në çdo vend merren masa për mbrojtjen e qytetarëve, ndërsa në Shqipëri punohet në funksion të Ramës.
“Jemi sot këtu bashkë me deputetin e Partisë së Lirisë Petrit Vasili për të denoncuar rrjepjen e pamëshirshme që Bordi i rrjepjes së çdo qytetari përmes çmimeve spekulative të naftës po i bën çdo ditë shqiptarëve.
E qartë tashmë kur në bursën ndërkombëtare çmimi ka rënë në nivele më të ulëta se para fillimit të luftës, përkundrazi vetëm këtu ne vendin tonë nuk reflektohet. 221 lekë aktualisht, 170 leke në Maqedoni, 160 lekë në Mal të Zi. Kudo merren masa për të mbrojtur qytetarët, konsumatorët, sipërmarrjet e thjeshta, vetëm këtu punohet në funksion të kryeoligarkut Edi Rama dhe gjithë ogiçëve të tij. Çmimet do bien kur populli të ngrihet. Askush nuk duhet të shqetësohet nga denoncimet. Janë me fakte dhe prova, jo për qëllime politike. Objektivi ynë është vetëm 1, Edi Rama, kryeoligarkun e Shqipërisë”, tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë ka komentuar dhe Ballkanin e Hapur për të cilin ka deklaruar se është nismë përçarëse dhe përjashtuese. Meta theksoi se Procesi i Berlinit është mjaft serioz dhe garanton synimet e të “ashtuquajturit” siç thotë ai, të Ballkanit të Hapur.
“Ju e dini qëndrimin tim. Më i përmbajtur për shkak të detyrës së presidentit. Por ju dini qëndrimin e presidentit të Malit të Zi, që njeh më shumë se kushdo fqinjin verior dhe grabitqarë. Ju e dini që Presidenti i Maqedonisë ka shprehur rezervat e tij. Kjo është një iniciativë që synon të minon perspektivën europiane. Procesi i Berlinit, është proces serioz që garanton synimet gjoja të mira që ka i ashtuquajturi Ballkan i Hapur. Ne duhet të përkushtohemi drejt këtij procesi dhe të forcojmë marrëdhëniet me Serbinë mbi bazë partneriteti dhe jo vasalitetit. E papranueshme që marrëveshja për arsimin dhe njohjen e diplomave nuk është pranuar nga pala serbe. Nuk është normale”, tha Meta.
Sa i përket çështjes së detit, Meta deklaroi para mediave se është një kryeaferë shumë e rëndë. Sipas tij, dëmtimi i pozitës së vendit në mënyrë të qëllimshme nga Rama është shumë i dokumentuar.
“Çështja e detit është një kryeaferë shumë e rëndë. Do t’i lutesha të gjithëve që të mos bien në lojën e Ramës me retorika anti greke. Greqia është e interesuar ta zgjidhë këtë çështje. Unë i kam çuar një letër 140 deputetëve të Shqipërisë, vetëm një pjesë të dokumentimit të shqetësimeve serioze për këtë çështje, që vijnë si rezultat i lojërave të këtij personi aventurier, i marrë peng nga gjithfarë interesash. Ia kam bërë të qartë Kuvendit që jam i gatshëm që të shkoj atje sa herë që ata të kenë ndonjë paqartësi dhe të kontribuojnë të gjithë për zgjidhjen më të mirë në interesin e Shqipërisë. Dëmtimi i pozitës së vendit në mënyrë të qëllimshme nga ky individ është shumë i dokumentuar. Por nuk dua të flas në publik më shumë për këtë çështje”, tha Meta. Sakaq, Kryetari i Partisë së Lirisë ka paralajmëruar denoncime të forta javës së ardhshme.
“Denoncimet do vazhdojnë. Përmasa spektaklore në javët që vjen. Aksioni vjen më i fuqishëm. Dara do i shtrëngohet çdo ditë. 10 vjet vjedhje, grabitje, koncesione, një fukarallëk i jashtëzakonshëm, poshtërim që i bëhet qytetarëve, janë shumë më tepër se mjaft”, tha Meta.
/rtsh.al/