Berisha: PD mbështet takimet e Stoltenberg me Kurtin dhe Vuçiç

Sali Berisha, ka komentuar takimet e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha shkruan se këto takime janë të një rëndësie të lartë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Sipas tij, këto takime u zhvilluan pas tensioneve në veriun e Kosovës nga kërcënimet dhe veprimet destabilizuese të Beogradit, përqendrimit të trupave ushtarakë të Serbisë në kufi me Kosovën, dhe përpjekjeve të Putinit për nxitjen e një konflikti ne Ballkan.
“Të gjitha këto, duke përdorur si pretekst zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet nga qeveria e Kosovës. Takimet u zhvilluan në prag të takimit të vendosur për nesër midis Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, sërish në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg, gjatë dy javëve të fundit ka bërë të qartë se Nato është e gatshme dhe do të ndërhyjë për garantimin e stabilitetit të Kosovës”, shkruan Berisha.
Partia Demokratike, sips tij, përshëndet takimet e sotme në Selinë e Natos, i mbështet plotësisht dhe konsideron të një rëndësie jetike përpjekjet dhe angazhimin direkt të Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg dhe Natos për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.
/rtsh.al/