Elbasan, PS, Kushi: Ata që nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, nga Elbasani, u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë. Sipas saj, kjo ka qenë një fushatë model, por edhe një proces votimi model.
“Ndaj edhe për orën në vijim, do të bëja thirrje që të gjithë të kontribuojmë që të vazhdojë të jetë i tillë. Do t’ju lutesha të gjithë atyre që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre qytetare, sepse vota e secilit prej jush ka fuqinë të vendosë për zhvillimin e Elbasanit dhe përmirësimin e jetëve tona.”- tha Kushi.
Ajo ka apeluar edhe për të gjithë ata qytetarë që nuk votuan dot gjatë orëve të para të mëngjesit, për shkak të problemeve teknike, që të paraqiten edhe një herë drejt qendrave të votimit, pasi, sipas saj, “vota juaj vlen jo vetëm për ju, por dhe për familjet tuaja dhe të gjithë qytetin”.
/rtsh.al/