E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan arratiset trafikantja e droges arrestohen dy policet

Dy efektive të policisë së Elbasanit Gëzim Ago dhe Meki Xhika u ndaluan nga kolegët e tyre nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ata ishin me shërbim në ruajtje të shtetases Ermira Beqiraj me banim në Elbasan e akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e cila mësohet të jetë larguar nga banesa pa lënë gjurmë.
Me vendim gjykate 39 vjeçares i ishte dhënë masa e sigurisë së arrestit në shtëpi deri në përfundim të hetimeve dhe për këtë arsye ruhej 24 orë nga shërbimet e policisë. Por nga një kontroll i kryer për shkak të mosparaqitjes së saj rezultoi se Ermira Beqiraj ishtë larguar nga banesa.
Policia e Elbasanit ka ngritur postblloqe në rrugë dhe po kryen kërkime për të rënë në gjurmë të së akuzuarës. Për këtë qëllim janë njoftuar edhe pikat kufitare, portet dhe aeroporti Nënë Tereza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›