E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, breshëri shkatërron prodhimet bujqësore

bresheriElbasan- Breshëri i rënë gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi në disa komuna të Elbasanit. Më të prekura janë komunat Shushicë, Gjinar dhe Labinot Fushë. Por raportime ka edhe nga fshatra të tjerë të prefekturës.

Menjëherë pas njoftimit, drejtoria e Bujqësisë në Elbasan ka ngritur dy grupe punë të cilat janë shpërndarë nëpër fshatra për të verifikuar dëmet.

Sipas përgjegjësit të shërbimi këshillimor në Drejtorinë e Bujqësisë Elbasan, Neshat Sadiku nga breshëri janë dëmtuar disa fshatra në shkallë qarku. Për këtë qëllim po kryhen verifikimet në vend dhe në fund do të përgatitet një relacion për të njoftuar Shtabin e Emergjencave, Ministrinë e Bujqësisë dhe instanca të tjera që të shohin mundësinë e kompensimit të fermerëve.

Breshëri i rënë dy ditë më parë ka shkaktuar dëme të parikuperueshme për fermerët e disa komunave. Edhe sipas kryetarit të komunës Shushicë dëmet mund të shkojnë në mbi 1 miliard lekë.

Julian Hoxhaj/IDEA/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›