Elbasan, makina përplas nënën me dy fëmijët, vdes 2-vjeçarja
Një fëmijë vetëm dy vjeç ka mbetur i vdekur pas një aksidenti të rëndë automobilistik që është shënuar në aksin Elbasan-Librazhd. Ngjarja ka ndodhur në vendin e njohur si Xibrakë, ku një automjet me targa BBET 44, i drejtuar nga shtetasi Gentian Mullalli, punonjës në burgun e Peqinit, ka përplasur një grua e cila kishte përdore dy fëmijët e saj dy dhe katër vjeç.
Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen e menjëhershme vajza 2-vjeçare I.Poka, ndërsa kanë mbetur të plagosura nga aksidenti nëna e saj, Mimoza Poka, 26 vjeçe si dhe fëmija tjetër i kësaj të fundit, S.Poka, 4 vjeçe. Të plagosurat janë dërguar menjëherë në spital ku mësohet se gjendja shëndetësore e fëmijës 4 vjeç është e rëndë, ndërsa nëna e dy fëmijëve nuk ka pësuar dëme të mëdha nga aksidenti.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ku ka shoqëruar edhe drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin, i cili do të merret në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes, ndërsa kanë nisur hetimet për të hedhur dritë mbi aksidentin tragjik.
4 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Elbasan, makina përplas nënën me dy fëmijët, vdes 2-vjeçarja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip