Elbasan, përfshihet nga flakët fabrika e letrës
Pesë zjarrfikëse kanë mundur pas 3 orësh që të lokalizojnë zjarrin. Dëmi, 10 mijë euro
Hetimet e para përcaktojnë si shkak një cigare të hedhur gabimisht. Pistë tjetër, zjarrëvënia e qëllimshme
ELBASAN-Zjarri i rënë në ambientet e jashtme të fabrikës së letrës në Elbasan ka dëmtuar seriozisht një investim privat prej 1.2 milionë Euro. Flakët janë parë pasditen e djeshme dhe të ndihmuara nga era janë përhapur me shpejtësi në grumbujt e letrave për riciklim. Menjëherë drejtuesit e fabrikës, që ndodhet në ambientet e ish- kombinatit Metalurgjik kanë kërkuar ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve.
***
Mësohet se brenda pak kohësh janë gjendur aty të gjitha mjetet në dispozicion të repartit zjarrfikës të Elbasanit dhe shumë shpejt kanë ardhur në mbështetje edhe mjete të Librazhdit dhe të nënprefekturës së Peqinit. Për shkak të djegshmërisë ka qenë e vështirë fikja dhe izolimi total i zjarrit, por me ndërhyrjen e zjarrfikësve situata është marrë në kontroll pas 3 orë ndërhyrjeje. Pëllumb Rrasa, pronar i fabrikës së letrës, thotë se fatmirësisht janë djegur vetëm letrat për riciklim që kapin vlerën e rreth 10 mijë eurove. "Zjarri ka rënë në pjesën e jashtme dhe është izoluar me mbërritjen e zjarrfikësve, pasi nëse do të kishte avancuar atëherë dëmet për ne mund të ishin disa herë më të mëdha duke llogaritur vlerën e fabrikës, e cila me makineritë i kalon 1.2 milionë euro"- tha ai.
***
Në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe shefi i komisariatit të Elbasanit, Gjelosh Prendi, së bashku me një grup hetimor për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Paraprakisht mendohet se në grumbujt me letra është hedhur nga pakujdesia një cigare, e cila ka ndezur letrat e ndihmuar edhe nga era e fortë. Gjithsesi policia është duke hetuar edhe për një zjarrëvënie të qëllimshme me synim dëmtimin e biznesit. Në pjesën e jashtme të fabrikës ndodheshin disa tonë mbetje kartoni. Falë ndërhyrjes së menjëhershme, zjarrfikëset kanë lokalizuar flakët, duke mos lejuar përhapjen e tyre në godinën e fabrikës. Shefi i repartit zjarrfikës në Elbasan, Aleksandër Hodo, duke udhëhequr operacionin për fikjen e zjarrit deklaroi se janë marrë të gjitha masat për të mos lejuar përhapjen në fabrikë dhe në godinat e tjera. Forcat e repartit zjarrfikës kanë punuar intensivisht për shuarjen e plotë dhe kanë qenë mjaft të shpejtë, duke evituar dëme më të mëdha.
Zjarri është kthyer në armikun kryesor të ndërmarrjeve të vogla në kompleksin e metalurgjisë. Vetëm në ditët e para të janarit u shkrumbua një fabrikë sfungjeri. Pronarët humbën gjithçka që kishin investuar për shkak të luhatjes së tensionit.