E Shtunë, 31 Tetor 2026

Era e fortë, makina fluturon në greminë

Shpëton shoferi dhe pasagjeri, që dalin jashtë makinës në kohë. Bllokohet 4 orë lëvizja në Llogara
VLORË- Era e fuqishme ka hedhur në greminë, një kamionçinë tip Benz Sprinter me targa të Beratit, Br 16 92 B, duke vënë në rrezik serioz drejtuesin dhe pasagjerin. Si pasojë e rrezikut të qarkullimit për shkak të erës shumë të fuqishme, krahasuar me furtunë, policia rrugore ka bllokuar për 4 orë lëvizjen e mjeteve në drejtim të Llogarasë dhe anasjelltas. Rreth orës 14.00 të paradites së djeshme automjeti me karroceri të zbuluar, dopio gomë ka dalë nga rruga në Qafën e Llogarasë nga era e fuqishme. Shoferi i mjetit, Agim Qato, pasi e ka parë që makina nuk po i përgjigjej më është munduar që ta ndalë atë, por pa mundur të bëjë dot gjë është detyruar më pas që ta braktisë atë së bashku me pasagjerët që kishte brenda. Më pas automjeti ka fluturuar nga era e madhe drejt dhe në greminë, duke u dëmtuar seriozisht, por pa rrezikuar njerëzit, që kishin mundur të dilnin më parë. Shefi i policisë rrugore, Edmir Noka, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe pasi ka bërë ekspertizën ka deklaruar se shkak i rënies së mjetit në greminë ka qenë era e fuqishme, që e ka detyruar makinën të dalë jashtë rruge. Shoferi i automjetit, Agim Qato, pasi e ka parë se automjeti i tij është përmbysur me hekurat mbrojtës të rrugës ka dalë nga makina e tij së bashku me pasagjerin dhe mjetin e ka lënë në "duart e erës". Mjeti ka dalë nga rruga në Qafën e Llogarasë pranë lapidarit dhe automjeti më pas ka vazhduar të bëjë disa salto, duke u rrëzuar përfundimisht në greminë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›