E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, përplasen dy mjete, dy të plagosur

ELBASAN- Një aksident me pasojë plagosjen e dy shtetasve, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën, ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Elbasan- Peqin, në vendin e quajtur Paulesh.

Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, tha se, “një mjet tip “Suzuki” me targa greke YEV 3085 me drejtues shtetasin Frrok Lalaj, 42 vjeç, me banim në Shkodër, është përplasur me një mjet me targë LB 2402 A, me drejtues shtetasin Fatmir Tanushi, 39 vjeç, me banim në Librazhd. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të dëmtuar drejtuesit e mjeteve, të cilët menjëherë janë transportuar për në spitalin kirurgjik të Elbasanit".

Sipas mjekëve, mësohet se paraqitet e rëndë gjendja shëndetësore e 42 vjeçarit si pasojë e plagëve të rënda të marra në pjesë të ndryshme të trupit. Policia në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e ketij aksidenti.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›