Elbasan, shpërthim te Kurum-i, digjet rëndë metalurgu 50-vjeçar
ELBASAN – Shpërthimi në furrën e shkrirjes së Uzinës së Çelikut te ish-Metalurgjiku, pëson djegie të rëndë një 50-vjeçar. Mësohet se Hyqmet Doka, nga Elbasani, ka marrë djegie të shkallës së lartë, ose thuajse në 90 për qind të trupit të tij dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Sipas burimeve, i dëmtuari është sjellë në spitalin kirurgjik me ndihmën e punëtorëve, por duke parë se gjendja e tij ka qenë tepër e rëndë, është dërguar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie për të nisur hetimet. Nga të dhënat paraprake rezultoi se, metalurgu Doka është djegur si pasojë e shpërthimit në njërën prej furrave të shkrirjes së çelikut. Edhe pse janë marrë në pyetje përfaqësues të administratës së kësaj uzine, ku pjesa më e madhe janë turq, policia ende nuk ka dalë në një version të qartë rreth ngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të saj. Firma turke Kurum ka më shumë se dhjetë vjet që ushtron aktivitetin e saj në ish-Kombinatin Metalurgjik dhe punëtorët vazhdojnë të ndjehen të rrezikuar. Herë pas here 500 metalurgët që punojnë në këtë uzinë kanë kryer protesta, pasi ata ndjehen të pambrojtur, nuk kanë pajisjet dhe, sipas tyre, Kurum nuk respekton rregullat teknike në punë. Ata kanë theksuar në protestat e mëparshme se nuk kanë shumë materiale mbrojtëse kundër zjarrit. Gjithsesi, këto protesta janë zhvilluar muaj më parë dhe tashmë puna vazhdonte normalisht. Në fakt, në këtë uzinë ka pasur edhe raste të tjera të djegieve nga ana e metalurgëve, ku më i madhi ishte shpërthimi i furrës i ndodhur në muajin qershor të vitit 2009. Tre metalurgë u përfshinë nga flakët brenda ambienteve të Uzinës së Çelikut, si pasojë e shpërthimit të solarit. Për ngjarjen e djeshme, policia bëri të ditur se është duke hetuar dhe se ende nuk konfirmon nëse kompania Kurum International i respekton kushtet e sigurisë në punë. Paraprakisht blutë bënë të ditur se ngjarja është aksidentale. m.s