E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, si po zhduken objektet e traditës në Kala dhe jashtë saj

Banesat monument kulture tashmë janë thjesht të regjistruara në letër, pasi ka prej tyre që në të vërtetë nuk ekzistojnë.


Pronarët ngrenë shqetësimin: Instituti nuk i ka parë me sy, ne po ndërhyjmë vetë. Paradoksi: "Të hiqen nga lista, nuk duam t'i kemi më monumente"


Banesat tradicionale të Elbasanit në listën e monumenteve të kulturës dhe me vlera të rëndësishme për arkitekturën dhe historinë e qytetit po shkojnë drejt zhdukjes. Nuk do të jetë e largët dita kur nga shtëpitë e vjetra karakteristike të mbeten vetëm fotografi, pasi shumë prej tyre ose janë shkatërruar ose janë në rrënim të vazhdueshëm.

Pronarët i kanë lënë në disa raste në gjendje rrënoje të interesuar që ato të shkatërrohen plotësisht, në disa raste të tjera banesa me vlera të mëdha janë zhdukur tërësisht. Të paktë janë ata që i kanë restauruar vetë dhe vazhdojnë të mbajnë me fanatizëm tiparet e vjetra të banesës të trashëguar brez pas brezi.


Në një vështrim në disa prej objekteve monument kulture vihet re se shumë nga këto banesa tradicionale nuk ekzistojnë më, ndërsa tek të tjerat problemet janë të mëdha për mbijetesën e tyre dhe ruajtjen e vlerave.


Një rast tipik i një banese të kategorisë së parë në listën e Monumenteve të Kulturës është banesa dykatëshe e Sul Shahinit. Ajo nuk ka vetëm tiparet e sarajeve me çardak por edhe historinë e saj me vlera të padiskutueshme.


Kjo shtëpi u la testament nga Rrapush Demeti për arsimin. Jo vetëm që amaneti nuk shkoi në vend asnjëherë por edhe shtëpia, ndër mrekullitë e traditës elbasanase, është drejt rrënimit të plotë.


Tavanet thuajse janë shkatërruar, kati i parë është trasformuar tërisht nga banuesit, ndërsa kati i dytë e ka çardakun me dru, dollapët karakteristikë, një derë të brendshme e punuar, pak ornamente tek shkallët, dritaret me kornizë druri dhe shtyllat e parvazët prej druri. Kaq ka mbetur nga kjo shtëpi që ka vite që nuk është parë nga Instituti i Monumenteve të paktën siç deklarojnë banorët e kësaj shtëpie.


Ata thonë se kjo shtëpi duhet të hiqet nga lista pasi për vite nuk është ndërhyrë dhe është drejt shkatërrimit të plotë. Ata madje nuk e hapin derën e një prej dhomave duke deklaruar se është e rënë dhe e shkatërruar.


Shtëpia e Sul Shahinit (pronarit që e mori nga shteti pas çlirimit) në lagjen e njohur atëherë me emrin "Karavelie" sot "Partizani" vazhdon të jetë monument i kategorisë së parë ku nuk duhet të ndërhyhej si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.


Jashtë kalasë ka edhe monumente të tjera kulture të kategorisë së parë. Ndër shtëpitë që kërkuam për të parë ishte ajo e vëllezërve Kopili por në vendin ku ka qenë një prej ndërtesave më me vlerë tashmë ishte ngritur një godinë e re, moderne me shumë kate. Banorët më thonë se shtëpia e vjetër është shkatërruar rreth 10 vjet më parë. Nga shtëpia që është në listë për ruajtje të plotë, nuk ka asnjë gjurmë.


Fatin e saj e kanë ndjekur edhe shumë banesa të tjera të cilat nuk duhet të modifikoheshin. 20 vitet e demokracisë, thonë banorët, bënë të vetën dhe të gjithë i trasformuan pasuritë kulturore që ishin edhe monumente duke iu përshtatur kohës. E vetmja banesë që i shpëtoi transformimit është Shtëpia e Sejdinëve po jashtë Kalasë pasi u mor në administrim dhe në mbrojtje nga shteti.


Muzeu Etnografik i Elbasanit është ndërtuar në një shtëpi karakteristike me çardak, që i takon shek. XVIII. Elbasanasit e njohin si shtëpia e "Sejdinëve". Ajo është një shtëpi e cila, nga mënyra e ndërtimit dhe arkitektura, është e veçantë në llojin e vet në trevën e Elbasanit.


Në planin kompozicional dhe në përgjithësi me konceptimin e saj funksional dhe arkitektonik, kjo banesë u ngjan shumë banesave me çardak që gjenden në zonën e Beratit dhe të Shkodrës. Banesa përbëhet nga dy kate.


Kati i parë përdorej si magazinë e produkteve bujqësore dhe përbëhet nga këto mjedise :Korridori, Dhoma e leshrave, Dhoma e metaleve;Dhoma e tabakëve. Kati i dytë, ka qenë përdorur si vend banimi dhe përbëhet nga këto mjedise : Korridori, Dhoma e punës e vajzave, Dhoma e grave,Dhoma e burrave, Dhoma e nuses dhe dhëndrit. Kjo banesë është restauruar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitet 1983-1985 dhe në vitin 1986 mjediset e saj u përshtatën në muze etnografik. Në fondet e këtij muzeu ruhen rreth 900 objekte origjinale të kulturës popullore dhe etnografisë.


Shtëpi me hajat


Në rrethinat e Kalasë kanë ekzistuar edhe shumë banesa tradicionale, tipike elbasanase të kohës turke të quajtura Dollmallije. Dollmallija ka në ballë hajatin e madh me shtylla druri, me sofë, me ambiente të tjera tipike si: Divitja, dhoma e zjarrit, qyri, ku shkohej nëpërmjet buharit, ambientet e tualetit etj.


Në pjesën e jashtme të banesës në disa raste kishte pjesë ambient shtesë qysh në hyrje. Në banesat me hajat karakteristikë ishte hyrja me dy palë dyer dhe në derën e parë vendosej ambient për burrat etj. Ky tip banese thuajse është zhdukur.


Dollmallijet kanë qenë kryesisht të familjeve myslimane me shumë prona e pasuri. Ky tip kërkonte shumë tokë e hapësirë përreth. Shtëpi të tilla ka pasur familja Ceka por edhe shumë familje të njohura. E vetmja banesë që përfaqëson një tip të ruajtur të banesës me hajat në Elbasan është shtëpia e Hajrie Skilës.


Megjithëse e transformuar, ende në këtë shtëpi gjen elementë të banesës me hajat. E restauruar dhe e modifikuar disi për shkak të kërkesave të kohës, shtëpia e Skilës trashëgohet nga e bija, Sofije Tollumi. Kjo banesë njihet ndryshe si shtëpia e Kol Tollumit. Ndodhet në lagjen me emrin e vjetër Sulejmanie sot Aqif Pasha, në anën verilindore të kalasë. Sofija në një moshë të thyer tregon se shtëpinë e ka trashëguar nga nëna.


"Shtëpia është mbi 200-vjeçare. Veli Skilja që ka pasur këtë shtëpi ka qenë tregtar. Sot ka mbetur pak nga ajo që mbaj mend nga kjo shtëpi. Banesa ka pasur Divitje, Sofë, Qyre etj. Tavani i vjetër po prishet e po bie, divitja nuk u ruajt dot dhe po kështu pjesët e tjera.


Kjo ka qenë ndër shtëpitë më të bukura të kohës. Qysh në hyrje ishin dy dyer. Pas derës së parë ishte një ambient për burrat në festa si Bajrami që të mos shiheshin gratë. Në lagjen tonë ka qenë edhe një remë me ujë që vinte nga mulliri dhe e gjithë rema ishte me ura me harqe. Ka qenë vërtet një mrekulli. Është mëkat që u shkatërrua".


Duket se edhe kjo banesë që është ruajtur disi dhe është restauruar nga vetë pronarët do të ketë fatin e shumë të tjerave për shkak se pronarët e kanë përshtatur me kohën. Sofa është ndryshuar dhe pjesët e tjera po ashtu. Nga pamja e jashtme e hajatit janë të ruajtura vetëm shtyllat prej druri që mbajnë çatinë, ndërsa pjesët e drurit janë të veshura më vonë.


Pjesë të vjetra janë dyert dhe një dhomë e cila ka një tavan të punuar në dru në formë të rrumbullakët me mjaft vlerë. Po kështu dhoma ka dekoracione prej druri dhe dollapë të vjetër tradicionalë të futur në mur. Pronarët kërkojnë heqjen nga lista të objektit për shkak të transformimit. Sakrifica e këtyre familjeve është e madhe pasi koha dhe sidomos nevoja për të ardhura i dikton zgjidhje të tjera për banim.


Shtëpitë tradicionale të periudhës turke u transformuan shpejt pasi hapësira u ngushtua me shtimin e banorëve dhe ata filluan t'i përshtateshin kohës. Sot është mjaft e vështirë të gjesh një shtëpi dollmallije tipike. Zhdukja e këtij tipi banese është një humbje e madhe për këtë qytet që shtëpinë me hajat e kishte tipar kryesor.


Brenda kalasë së Elbasanit

Ndryshe nga pjesa jashtë ku ishin kryesisht familje myslimane, ato që ndërtuan banesa të larta si sarajet dhe me hajat, në brendësi të kalasë dhe sidomos në pjesën ortodokse lloji i banesës i përshtatej shumë zgjidhjeve të veçanta.


Shtëpitë në këtë pjesë kanë ndërtime me çardak dy deri në tri kate, me dalje në konsol të katit të dytë, dhe karakterizohen nga grup dritaresh me kornizë të gjërë druri dhe me strehë të gjërë. Këto forma i përshtateshin terrenit të pakët dhe shtimit të banorëve.


Brenda në kala është një rrugicë që bën pjesë në monumentet e kategorisë së parë. Edhe brenda kalasë ka ndodhur po i njëjti fenomen. Godina të braktisura po shkojnë drejt rrënimit, ka të tjera të transformuara dhe gjithashtu banesa të cilat kanë marrë vëmëndjen e vetë pronarëve dhe vazhdojnë të ruhen.


Në Kala në rrethinat e kishës "Shën Maria" janë disa objekte me vlera. Mund të veçojmë shtëpinë e Bibajve me një arkitekturë të mrekullueshme në pjesën jugore, me konsolë të dalë dhe me një shfrytëzim të mirë të territorit. Gjëndja e saj është e mjeruar dhe po shkon drejt shkatërrimit.


Ndërkohë, shtëpitë e Papajanëve janë modifikuar disi në përshtjate me kohën, ndërsa shtëpia e Kristoforidhit (shtëpi muze) më në fund të paktën në pjesën e jashtme mund të gjesh një pllakë treguese jo me shumë vlera arkitektonike. Shumë banesa të tjera që duhet të ishin ruajtur nën efektin e kohës ose janë në rrënim ose janë transformuar.


Një shembull i mirë i ruajtjes dhe i restaurimit të paktën në pjesën e jashtme është shtëpia e Genc Nosit. Nëpërmjet restaurimit në këtë shtëpi është ruajtur pamja e jashtme. "Kjo banesë është e Isak Xhufkës dhe është mbi 100 vjeçare. Është monument i kategorisë së dytë dhe është restauruar pjesa e jashtme".


Ky ishte një shembull i mirë i reagimit të Institutit të Monumenteve por nuk do të gjejmë shumë shembuj të tjerë. Shtëpia që të bën përshtypje në një nga rrugicat e kalasë është ajo e Llaz Papajanit. Kjo shtëpi, ndër më të veçantat në shfrytëzimin e hapësirës dhe në vendosjen megjithëse disi e modifikuar, vlen të shikohet.


Pronari i sotëm, Ali Çami (Halili) tregon se kjo shtëpi në një arkitra mban vitin kur është ndërtuar dhe është një shtëpi mbi 300 vjeçare. "Shtëpinë e kishte dhespot Papajani dhe për këtë arsye është ndërtuar një tynel që del tek Kisha e vazhdon më tej në Krastë.


Në këtë shtëpi ka pasur modifikime dhe përshtatje me kohën. Ndër ato që ruhen janë oxhaku, rozeta, forma e ndërtimit karakteristike për katet e sipërme me tulla e të tjerë elementë. Pasuria e kësaj shtëpie nuk janë vetëm format e dritareve por edhe kati i parë. Ai ishte totalisht në funksion të veprimtarisë së familjes dhe nuk përdorej për të jetuar.


Sapo hyn në portën tashmë të ndryshuar, në njërën anë janë dy ambiente që dikur kanë qenë dhoma të ndara me qemere të rrumbullaktë dhe në fund një sterë e madhe uji. E ndërtur 3 shekuj më parë, stera është e padepërtueshme nga uji dhe sipas pronarit është bërë me llaç me rërë vullkanike që vinte nga Italia dhe llaçi është përpunuar me sapun. Shkallët janë me pllaka guri dhe mënyra e organizimit të kësaj banese është e veçantë.


Kjo banesë është një formë sesi shfrytëzohej çdo pëllëmbë tokë e Kalasë në kohën e mesjetës dhe gjatë periudhës turke. Pronari aktual thotë se ka njoftuar disa herë specialistët e monumenteve por nuk ka ndërhyrë njëri. Ai shprehet se restaurimin e shtëpisë do ta bëjë vetë duke imituar pamjen e vjetër.


Banesë në restaurim


Është një ndër më të veçantat dhe më të bukurat e vendosur mbi murin e vjetër të lagjes Kala ngjitur me shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Nga brenda kalasë ajo ka një pamje që të mrekullon, me dritare karakteristike me veshje druri, me strehë të gjërë të çatisë, shkallë prej druri.


Shtëpia e Jorgji Xhufkës është mbi 300 vjeçare. Ajo është blerë nga familja Leka. Kjo e fundit pasi ka pritur më kot nga Instituti i Monumenteve duke e lajmëruar disa herë për ndërhyrje në këtë objekt pasi po shembej, ka vendosur të kryejë punimet vetë. Pronari i shtëpisë Edmond Leka, ka njoftuar organet kompetente dhe ka marrë leje për të kryer vetë punimet.


Kjo banesë e vendosur mbi murin verior të Kalasë ka një kompozicion interesant. Me një kat bodrum dhe dy kate të tjera, kjo shtëpi ka shfrytëzuar murin e trashë të kalasë. Në bodrum ndodhen pasuri të tjera të kësaj shtëpie.

Mjafton të hysh në njërën prej tyre për të parë fuçitë e rralla prej guri ku mbahej vaji i ullirit. Janë 4 të tilla me shkëmb të gdhendur përbrenda që përdoreshin në atë kohë për vaj. Në bodrum është edhe një pjesë e murit të kalasë që duket që nuk është një shtresë turke.


Familja Leka është duke përballuar vetë të gjitha shpenzimet për restaurimin e shtëpisë. Të vetëdijshëm ata kanë ruajtur pjesët më të rëndësishme të këtij objekti. Të zhgënjyer për mungesën totale të shtetit ata kanë filluar me vështirësi të ruajnë këtë pasuri që po shkatërrohej.


E zonja e shtëpisë thotë se shtëpinë e kanë parë specialistë shqiptarë dhe italianë por veç fotografimit nuk ka pasur asnjë reagim tjetër që t'i bentë të mundur kësaj familjeje përballimin e shumë shpenzimeve për ruajtjen e këtij objekti me vlerë. Mbajtja e një shtëpie të tillë shprehen ata, është mjaft e vështirë pasi gjithçka duhet t'i përshtatet formës dhe teknikës së vjetër. Të kesh një monument kulture në këtë kohë është vuajtje dhe jo përfitim. Shpresojmë të vijnë kohë më të mira, përfundojnë pronarët e vetëdijshëm për vlerat, por të zhgënjyer nga gatishmëria e institucioneve dhe ndihma që kjo banesë të jetojë sa më gjatë.


BANESA TË KATEGORISË SË PARË


Banesa e Staf Papanikollë Papajanit, në lagjen Kala, 1973
Banesa e Sul Shahinit, në lagjen Partizani(Karavelie) i shpallur 1963
Banesa e Hajdar Sejdinit. Lagja Alejdine i shpallur monument më 1963
Banesa e Hajrie Skiles, lagja Sulejmanie, 1963
Banesa e Ikbale Bumçit, Rr. Kristoforidhi më 1973
Banesa e vëllezërve Kopili (e shkatërruar dhe e lëvizur)
Banesa e Refie Mollohollit
Banesa e Elena Papajanit
Banesa e Tasim Çiftes


Belegu: Duhet kujdestar për monumentet

Para viteve 90-të kishte kujdestar në çdo lagje që kishte monumente kulture. Ata kujdeseshin, verifikonin dëmtime dhe njoftonin. Tani askush nuk e ka në ngarkim këtë gjë dhe monumentet janë larg vëmendjes së specialistëve". Këto janë fjalët e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore pranë bashkisë Elbasan, Niko Belegu. Elbasani ka qenë një ndër qytetet më të zhvilluara.


Gjatë udhëtimit dhe shënimeve të Çelebiut shkruhet se Elbasani kishte 1159 shtëpi. Shumë nga objektet e vjetra janë ruajtur deri vonë por zhvillimi bëri të vetën dhe shumë u shkatërruan. Sot të pandryshuara janë shumë pak. E fundit ndërmarrje nga bashkia është mirëmbajtja e shtëpisë së Kristoforidhit ku së fundi është vendosur një tabelë.


Restaurimi i shtëpisë së Aleksandër Xhuvanit etj. Banesat duket se janë elementi i harruar nga ana e specialistëve. I vetmi objekt i ruajtur mirë është muzeu etnografik (shtëpia e Sejdinive) por pasuritë e këtij qyteti janë në shumë dimensione që çdo vit janë në zvogëlim dhe nuk do të jetë e largët dita kur të mos kemi më shtëpi Dollmallie, shtëpi të veçanta me çardak dhe zgjidhje të veçanta të traditës së Elbasanit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›