Vallëzimi i Anbetës në teatrin e Adrianit

Pasione të zjarrta, dhembje dashurore, por me një fund të lumtur, rizgjuan skenën e teatrit 2400 vjeçar të Hadrianopolit.
"Në gjurmët e Adrianit" ishte shfaqja që ka rikthyer pas 9 vitesh mungesë në skenat shqiptare, balerinën e mirënjohur Anbeta Toromani, e shoqëruar nga tri balerinë italianë.
E konceptuar në pesë momente, nën tingujt e kompozitorëve të mëdhenj si Bah, Puçini, Bize etj., mbrëmja e baletit, në qytetin e ndërtuar prej perandorit romak, ka ofruar një spektakël.
I menduar si sipar përmbyllës i ekspeditës së pestë arkeologjike italo-shqiptare në Hadrianopol, edhe artistët ishin përzgjedhur nga dy vendet. Anbeta Toromani, balerina e njohur shqiptare që prej dhjetë vjetësh jeton dhe punon në Itali, shoqërohej nga kërcimtarët italianë Alessandro Macario, Marta Mafalda Marcelli dhe Jonatan de Luis Mazagatos.
Për 45 minuta ata interpretuan pjesë nga "Madama Butterfly", "Carmen", "La lacrimosa", "Gliss" apo "Hombes en falda". "Të gjallërosh ndërtesën e
vjetër romake do të thotë të ripërshkosh rrugën që Adriani, i dashuruar pas Greqisë dhe kulturës së saj, na ka treguar me ëndrrën e tij për paqe universale.
Kultura, muzika dhe kërcimi na krijojnë mundësinë për të kapërcyer diferencat, duke gjetur bashkimin te vlerat më të pastra të shpirtit njerëzor", janë shprehur organizatorët për këtë mbrëmje baleti.
Ndërkohë, balerina Toromani ka shprehur kënaqësinë që ka ndjerë me rikthimin në atdhe, paçka se në një skenë në cep të Shqipërisë. "Kam 9 vjet që nuk kërcej në skenat shqiptare dhe natyrisht që kjo mbrëmje përbën një kënaqësi shumë të madhe për mua dhe ishte shumë emocionuese. Kjo është hera e dytë që interpretoj në skenë të tillë, në një teatër antik, pas eksperiencës në Butrint.
Për artistin është shumë e rëndësishme të marrë duartrokitje. Jam e gatshme të rikthehem për çdo ftesë që do më vijë nga atdheu. Unë jam artiste, shkoj ku më ftojnë, po në Shqipëri e bëj dyfish me dëshirë, sepse hyn edhe karakteri im shqiptar. Rikthimi sot, edhe pse pak i lodhshëm ishte I bukur", është shprehur Anbeta Toromani për "Shekulli".
Kjo është shfaqja e dytë që zhvillohet në kohët moderne në teatrin antik të Hadrianopolit, i cili përveç të tjerash vlerësohet për një akustikë të shkëlqyer.
Qysh kur u vu "Bakantet", kishte tre vjet që asnjë trupë dhe asnjë artist nuk ishte ndalur në teatrin e këtij parku arkeologjik.