E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani mendjen te transferta me Adën, Gava: Duhet shumë kujdes!

GavaNga Maringlen Miraka

Ndeshja do të jetë e vështirë, në kushtet kur velipojakët, në tre javë kampionat, kanë marrë vetëm një pikë. Janë në luftë për mbijetesë e për rrjedhojë do të bëjnë gjithçka për të na ndalur. Shansi jonë është që nuk do të luajmë në Velipojë, por ndoshta në Shkodër

Elbasani tashmë e ka hedhur pas krahëve fitoren e së shtunës së kaluar, në derbin e prefekturës me Shkumbinin, 2-1, dhe tashmë është përqëndruar për transfertën e radhës, atë me Adën e Velipojës. Stërvitja e së martës për verdheblutë e Filjas ka qenë më e fortë, sepse ka pasur në program anën fizike. Që do të thotë se janë bërë disa vrapime të gjata e më pas gjithçka është mbyllur me kuadrat. Për Gazeta e Sportit, për ndeshjen e radhës të verdhebluve me Adën, ka folur mesfushori Orges Gava.

Ne aktualisht thotë Gava – jemi në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Apoloninë. Dhe me shtatë pikë në tre javë do të thotë se jemi pretendent kryesor për tu ngjitur në Kategorinë Superiore. Veçse është shpejt për të folur për një objektiv të tillë, edhe sepse përpara kemi ndeshje më të vështira. Dhe që të arrijmë Superioren duhet ti përballojmë mirë të gjitha ndeshjet që kemi në vazhdim, duke nisur që nga kjo e së shtunës, me Adën e Velipojës.

Skuadra është në gjëndje mjaft të mirë dhe po stërvitet për një tjetër sfidë interesante, ndërsa do të luajmë në transfertë përballë një skuadre që në letër është e lehtë. Por duke qenë se në tre javë ka marrë vetëm një pikë dhe luan për mbijetesë, atëherë do të thotë se ndeshja vështirësohet. Ne nga ana tjetër duam të marrim tre pikët, sepse vetëm ato janë që na bëjnë punë për të qenë përsëri kryesues të Kategorisë së Parë. Duhet të bëjmë shumë kujdes me Adën, sepse skuadrat e dobëta hapin punë.

Dhe në kushtet që ka nevojë për pikë e lufton për mbijetesë, atëherë do të bëjë gjithçka për të na ndalur. Mos harroni që një shprehje e urtë popullore thotë: i mbyturi të mbyt… Ne nuk duhet të tolerojmë, ndërsa jemi të privilegjuar në kushtet kur do të luajmë në Shkodër, sepse Ada ka probleme me stadiumin e vet në Velipojë. Kështu që ne do të synojmë një tjetër rezultat pozitiv në këtë transfertë, që do të jetë më shumë se sa barazimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›