E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani nderon Aqif Pashën, një nga firmëtarët e Pavarësisë

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në kuadër të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, Aqif Pashë Elbasani.

Deputetët e Elbasanit Adi Qose, Aulona Bylykbashi, Sara Mile, Evis Kushi, prefekti i Qarkut Ilir Bejtja, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, përfaqësues të pushtetit vendor, qytetarë dhe nxënës të shkollave, vendosën kurora me lule dhe zhvilluan homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit.

Në fjalën e tij, kreu i bashkisë Gledian Llatja përcolli urimet për Festën e Flamurit dhe Pavarësisë, duke theksuar rolin historik të Elbasanit si një nga djepet e Pavarësisë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Aqif Pashë Elbasanit dhe patriotëve të tjerë elbasanas në themelimin e shtetit shqiptar. Ai nënvizoi se respekti për figurat e historisë është detyrim qytetar dhe institucional, si dhe një mesazh edukues për brezat e rinj.

Edhe drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, në përshëndetjen e tij, vuri theksin te mirënjohja ndaj firmëtarëve të Pavarësisë dhe uroi qytetarët për 28 Nëntorin, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe vazhdimit të projekteve zhvillimore në Elbasan dhe në mbarë qarkun.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, ku u bashkuan institucione, përfaqësues politikë dhe qytetarë, duke e kthyer homazhin në një akt simbolik nderimi për historinë, identitetin kombëtar dhe rolin e Elbasanit në Pavarësinë e Shqipërisë.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›