E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, në vjeshtë ndryshon look

Pas Tiranës dhe Shkodrës edhe qyteti i Elbasanit do të ndryshojë look-un e fasadave të pallateve. Bashkia e këtij qyteti do të nisë në shtator këtë projekt përgjatë bulevardit "Qemal Stafa". 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

 Ky projekt po ndërmerret për t'u siguruar qytetarëve mjedise të bukura e moderne, për të evidentuar vlerat e ndërtesave të arkitekturës së periudhës së viteve '60-'70, si dhe për të bërë më atraktiv bulevardin e qytetit. "Ky projekt do të sjellë përfitim për qytetarët e të gjithë Elbasanit dhe në mënyrë të veçantë një cilësi të mirë jetese për banorët e këtyre pallateve", bënë të ditur burime zyrtare të bashkisë. Kreu i kësaj bashkie, Qazim Sejdini, tha se, ky projekt do të nisë shumë shpejt të vihet në zbatim pasi dhe fondet janë siguruar. Tashmë pritet të kryhen vetëm procedurat tenderuese. Fasadat e këtyre objekteve janë tejet të amortizuara, e lodhin pamjen e vetë bulevardit duke e bërë atë më pak të vizitueshëm dhe interesant. Përveç kësaj amortizimi i theksuar i këtyre fasadave ka sjellë uljen e interesit për të jetuar në këto pallate, pasi është ulur ndjeshëm konforti i jetesës në to, për shkak të lagështisë dhe cilësisë tejet të dobët të termoizolimit të tyre. Është menduar të ndërhyhet me sistemin e veshjes së tyre, me një material veshës që kryen disa funksione, si efektin termoizolues, hidroizolues dhe suvatimin e jashtëm me material granili të ngjyrosur në tone të çelëta në nuancën e bezhës, së gjelbrës dhe grisë së hapur; sistemimi i parapeteve të tarracave, atë të kullimit të ujërave të shiut të këtyre objekteve si dhe krijimin e një veshjeje të unifikuar të fasadave të lokaleve të kateve përdhese, me qëllim bërjen e tyre më tërheqëse. Sipërfaqja totale e të gjithë këtyre fasadave të pallateve përgjatë bulevardit "Qemal Stafa" është rreth 40 mijë m2. Ky investim do të ndikojë dhe në përmirësimin e fasadave të kateve përdhese të këtyre pallateve, në të cilat kryhen aktivitete tregtare të llojeve të ndryshme, duke nxitur kështu rritjen e cilësisë së shërbimit në to. Kjo do të sjellë frenimin e ndërhyrjeve pa kriter që vetë qytetarët i bëjnë këtyre fasadave. Projekti pritet të përfundojë brenda 3 vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›