E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet prifti i Karavastasë,bënte trafik klandestinësh me tre policë

 

Prifti, rekruti i klandestinëve

LUSHNJE / MAJLINDA RAMA

Trafik nëpërmjet kishës së Karavastasë. Dhjetëra të rinj që hynin e dilnin nga kisha e fshatit të Lushnjës u kanë bërë përshtypje banorëve të zonës, por kanë menduar se bëhej fjalë për besimtarë të devotshëm.
Por, dje lajmi i arrestimit të priftit të tyre si trafikant klandestinësh u ka dhënë përgjigjen e dyshimeve.
Mihal Shuli, prift i kishës së Karavastasë në Lushnjë u arrestua dje nga policia, si një ndër anëtarët kyç të grupit të trafikantëve klandestinë. Me arsim të lartë, 47 vjeç, prifti kishte autoritet dhe ndikim të madh te banorët e për pasojë sipas policisë ka arritur të sigurojë dhe të interesuarit për të emigruar ilegalisht drejt perëndimit. Burime të brendshme të policisë së Lushnjës pohojnë se, at Mihali ishte një ndër pjesëtarët kryesorë të kësaj bande të mirorganizuar, e cila i pajiste emigrantët me dokumente false. Ai mbante lidhje direkt me kokën e trafikut, i cili jeton në Athinë, madje shpeshherë kryente rolin e taksistit të klandestinëve.
At Mihali shërbente në kishën e Karavastasë prej vitesh, ndërkohë që kjo e fundit ishte një ndër më të frekuentuarat në zonë nga besimtarët. Banorë të zonës kanë treguar për oficerët e policisë se disa herë shikonin lëvizje të dyshimta në mjediset e kishës, por gjithmonë duke menduar se aty kryheshin rite të ndryshme fetare edhe gjatë orëve të vona të pasdites. "E kam shtëpinë fare pranë kishës ku shërben prifti, të cilin e kanë arrestuar. Kemi parë që hyjnë e dalin shumë, po me mendje se janë besimtarë të cilët nuk kanë mundësi ta frekuentojnë kishën paradite dhe vijnë aty pasdite. Madje, e kemi pyetur edhe priftin për këto lëvizje, por ai është shprehur se për besimtarët nuk ka orar", ka deklaruar një prej banorëve. Sinjalet e tyre dhe hetimet disamujore të policisë së rrethit, e cila po bashkëpunonte me homologet në qytete të tjera, kanë çuar grupin hetimor drejt kishës. Ecejaket e njerëzve të shoqëruar nga prifti, linin të dyshoje se bëhej fjalë për diçka jashtë kishës, që nuk i përkiste kultit të Zotit. Madje, burime policore tregojnë se, të ashtuquajturit besimtarë vinin aty edhe në orët e vona të natës dhe pastaj dilnin në grupe. Më pas ishte prifti ai që krijonte lidhjen me rrjetin tjetër të shpërndarë gjithandej. Në ambientet e kishës janë gjetur në cilësinë e provës materiale kompjuter, si dhe disa certifikata të personave të ndryshëm me gjendje civile të shumë komunave dhe bashkive të vendit.
Ajo që dihet e sigurt është që prifti Shuli i gjente klientët që kishin nevojë për të kaluar kufirin nga disa fshatra të largët të rrethit të Lushnjës, si Dushk, Gorre, Fiershegan, Hallvaxhie etj., por nuk ishin të përjashtuar banorët të zonave të tjera, të cilët nëse ishte e nevojshme, strehoheshin për disa ditë nga vetë prifti. Mendohet se gjatë kohës së predikimit, shumë njerëz i qanin hallin priftit për varfërinë që i kishte kapur ata, ose të afërmit e tyre dhe ai "i siguronte" hallexhinjtë se gjithçka mund të merrte zgjidhje vetëm në rast emigrimi. Prifti u tregonte se mund t'i ndihmonte duke i adresuar te njerëz që i njihte mirë dhe në rast se familjarët nuk e kalonin kufirin, ata nuk do të paguanin asnjë lekë. Kjo ishte mesa duket detyra e thjeshtë, por e madhe që i ishte ngarkuar priftit të fshatit Karavasta, si njeri i besuar dhe që nuk mund të zbulohej lehtë, nga grupi i trafikantëve.

Të arrestuarit

Ismet Rroqi, 29 vjeç, përgjegjës në Kapshticë Sefer Çollaku, 50 vjeç, kontrollor Kapshticë Rajmondi Duro, 40 vjeç, kontrollor Kapshticë Mihal Shuli, 47 vjeç, prift në Karavasta Leonard Belortaja, 32 vjeç, nga Korça shofer Artur Likollari,  42 vjeç, nga Korça shofer Altin Qatipi, 30 vjeç, nga Tirana shofer Edmond Kallkuçi, 35 vjeç  nga Korça Manol Xhamia, 48 vjeç  nga Bilishti shofer Ilir Çipi, 38 vjeç  nga Korça, tregtar

Hetim pronave, për fitimet nga trafiku

TIRANE - Njësia Task-Force Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës është duke verifikuar të gjitha pasuritë që ekzistojnë në emër të personave të arrestuar së fundi, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të klandestinëve. Ata dyshohet se, kanë pasur përfitime të majme financiare për shkak se kanë kaluar një numër të madh klandestinësh, duke marrë nga secili prej tyre 2 mijë euro për person. Me fitimet që kishin siguruar, trafikantët kishin arritur të korruptonin edhe punonjësit e policisë, të cilët pasi hynin në autobusët që udhëtonin drejt Greqisë dhe kontrollonin pasaportat për t'i vulosur ato, nuk nxirrnin probleme për personat që kalonin në mënyrë të paligjshme, duke u trafikuar nga grupi i të arrestuarve. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë përfituar pasuri dhe biznese të ndryshme me fitimet që arrinin nga trafiku ndërkombëtar i klandestinëve që kalonin në drejtim të Greqisë me destinacion përfundimtar Italinë. Prokuroria tha se, veç gjashtë makinave që u janë bllokuar trafikantëve gjatë arrestimit të tyre, po verifikohet në hipoteka dhe në banka për prona të tjera të tyre, që dyshohet se janë vendosur nga veprimtaria kriminale.

“Tre oficerë në bandën e trafikut”

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi një grup kriminal të akuzuar për falsifikim dokumentesh, trafik klandestinësh dhe korruptim të tre oficerëve të policisë, që sipas provave të grumbulluara, konsiderohen anëtarë dhe bashkëpunëtorë të trafikantëve.

Dashamir Biçaku

Të arrestuarit mblidhnin klandestinë nga e gjithë Shqipëria dhe përmes taksive i transportonin në Korçë. Me anë të korruptimit të tre oficerëve të pikës kufitare, klandestinët kalonin në Greqi, ku i prisnin anëtarë të grupit kriminal që i nisnin më pas drejt Italisë. Për çdo klandestin, sipas hetimeve, të arrestuarit përfitonin 2 mijë euro, të cilat ndaheshin në çdo rast mes anëtarëve të grupit. Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e SHKB-së në Ministrinë e Brendshme dhe është zhvilluar njëkohësisht në Tiranë, Korçë, Lushnjë, Vlorë dhe Fier ku vepronin anëtarët e grupit. Ata po hetoheshin prej gjashtë muajsh nga Zyra Task-Forca Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, pas një denoncimi të paraqitur aty nga SHKB, që kishte zbuluar korruptimin e tre oficerëve nga grupi kriminal, duke u bërë kështu shkak për zbulimin e veprimtarisë së gjithë personave të tjerë. Burimet zyrtare të policisë thanë dje se, trafikantët i kalonin klandestinët në pikën kufitare kur aty shërbenin tre oficerët e arrestuar, të cilët përfitonin shuma ryshfeti për çdo kalim të klandestinëve. Mes të arrestuarve ndodhet edhe prifti i Karbunarës, i cili akuzohet se ka transportuar klandestinë me makinën e tij dhe u ka gjetur atyre dokumente false, që shërbenin për udhëtimin nga Greqia drejt Italisë.
Zbulimi
Grupi i akuzuar për trafik klandestinësh, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion është zbuluar pas dhjetëra rasteve të kthimit të emigrantëve shqiptarë nga Italia, që ishin kapur atje me dokumente false. Pasaportat e tyre kishin vulat dalëse në pikën kufitare të Kapshticës dhe duket se këtu ka filluar edhe hetimi i SHKB-së. Në bashkëpunim me Task-Forcë Antikorrupsion është realizuar përgjimi i dhjetëra bisedave mes trafikantëve dhe oficerëve të policisë, të cilët jepnin miratimin për kohën kur duhej të kalonin klandestinët, duke informuar për kontrollet dhe masat e policisë në pikën e kalimit kufitar. Operacioni i koduar "Korridori i lirë" për shkak se tre oficerët e arrestuar u hapnin rrugën klandestinëve, ka sekuestruar gjashtë makina që përdoreshin nga të akuzuarit, 20 pasaporta false të përdorura nga klandestinët si dhe 12 celularë të personave të prangosur. Ministria e Brendshme konfirmoi dje se hetimi i kësaj çështje është bërë në bashkëpunim edhe me policinë greke, e cila gjithashtu kishte pikasur kalimin e klandestinëve me autobusë drejt tokës helene. Sipas hetimeve të Task-Forcë Antikorrupsion mësohet se në hetim janë edhe disa persona të tjerë, që veprojnë në Shqipëri dhe në Greqi për të cilët verifikimet po vazhdojnë me qëllim sqarimin e pozicionit të tyre në trafikun ndërkombëtar të klandestinëve.

"Baza e Igumenicës, pranga dy trafikantëve

VLORE - Pas një hetimi disa mujor, policia e Vlorës arrestoi dje dy persona nga Saranda. Gerald dhe Erand Metushi, përkatësisht 21 dhe 20 vjeç që ushtronin aktivitetin e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Dy kushërinjtë kishin arritur të depërtonin me aktivitetin e tyre deri në Greqi, vend ku ata falsifikonin dokumentet për personat që do të kalonin kufirin. Madje, falsifikonin dhe viza greke e italiane. Policia e ka koduar operacionin për arrestimin e dy të rinjve "Baza e Igumenicës". Sipas burimeve të policisë, pikërisht në Igumenicë të Greqisë, ishte një bazë e përpunimit dhe falsifikimit të dokumenteve për shqiptarët, të cilët me anë të këtyre dokumenteve kalonin në Greqi, e më pas në Itali. Në këmbim, të arrestuarit përfitonin 3000-3500 euro për person. Mësohet se hetimi ndaj dy të arrestuarve të djeshëm ka filluar në muajin prill 2008. Ata janë mbajtur në përgjim për gati tre muaj, deri në finalizimin e arrestimit, ku tashmë janë grumbulluar prova më se të mjaftueshme për t'i përballur ata me togat e zeza. Ata e kanë ushtruar aktivitetin e tyre në zonën e Vlorës dhe Sarandës. Ndërkohë, në bazën e përpunimit të dokumenteve në Igumenicë, kishin bashkëpunëtorë të tjerë. Dy të rinjtë bënin porositë përkatëse duke dhënë më parë emrat dhe gjeneralitetet që duhej të plotësoheshin në dokumentet, që do të shërbenin për kalimin e kufirit nga të interesuarit.                                 q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›