Elbasani përgatitet për dimrin, prefekti Bejtja kërkon gatishmëri maksimale të institucioneve për emergjencat

Në prag të sezonit dimëror u mbajt në Elbasan, nën drejtimin e Prefektit të Qarkut, mbledhja e Komisionit të Mbrojtjes Civile, me fokus masat parandaluese dhe koordinuese për përballimin e situatave emergjente. Prefekti Ilir Bejtja theksoi nevojën për një përmirësim të planit të mbrojtjes civile në nivel qarku.
“Me e banalizuar pak, duhet të synojmë të punojmë me regjim spitalor, jo në regjim urgjence, në kuptimin e gjërave të planifikuara apo të financuara, të mbështetura në buxhet, të cilat të bëhen pjesë e punës tonë. Këto konstatime nuk mund të vijnë më mirë se nga ju,” tha Ilir Bejtja, Prefekt i Qarkut Elbasan.
Shefi i emergjencave civile, Edvin Gjata, e fokusoi fjalën e tij te problematikat që shfaqen me nisjen e shirave, ku problem serioz sipas tij janë argjinaturat e dëmtuara në përrenj dhe lumenj.
“Ka mbetur gjatësi pa argjinaturë në lumin Shkumbin në disa vende,” tha Edvin Gjata, Shef i Emergjencave Civile.
Sakaq, policia e Elbasanit ka kërkuar reagim më të shpejtë nga kompanitë e kontraktuara nga ARRSH për ndërhyrje të menjëhershme në rast bllokimesh apo rrëshqitjesh në rrugë në ditë me shi, duke u kthyer në potencial rreziku për aksidente.
RTSH