Zgjedhorja e rëndësishme për anëtarësim në BE, Gonzato: Palët politike të realizojnë produkt të mirë, thelbësore për integrimin

Reforma zgjedhore është vendimtare për integrimin e Shqipërisë në BE, deklaroi ambasadori i BE Silvio Gonzato gjatë prezantimit të projektit të Këshillit të Evropës për “Mbështetjen e Ciklit të Procesit Zgjedhor në Shqipëri”.
Ambasadori iu bëri thirrje palëve politike të arrijnë një produkt të qëndrueshëm.
“Reforma Zgjedhore përfaqëson një hap të mirë drejt integritetit zgjedhor. Nxisim palët për reformë gjithëpërfshirëse, duhet një produkt i mirë. KQZ ka marrë hapa të rëndësishëm në analizën paszgjedhore dhe ka paraqitur disa propozime. Depolitizimi është thelbësor. Reforma zgjedhore është pjesë domethënëse e rrugëtimit dhe zotimit që ka Shqipëria në grup kapitullin e parë për anëtarësimin në BE, e para që hapet dhe e fundit që mbyllet.”
Kreu i KQZ-së, Ilirijan Celibashi teksa vlerësoi bashkëpunimin me BE-në theksoi se duhet të ndryshojë mënyra e organizimit të administratës zgjedhore dhe të mos dominohet 100% nga partitë politike.
“Administrata zgjedhore në Shqipëri, tej çdo përpjekje të bërë, asnjëherë nuk i ka përmbushur pritshmëritë, jo vetëm të aktorëve politike, por së pari, të votuesve shqiptare, për të performuar jo vetëm në mënyrë profesionale, por edhe transparente”, tha Celibashi.
E pranishme ishte edhe Liri Kopaçi-Di Michele, Drejtore e Divizionit të Zgjedhjeve dhe Bashkëpunimit Parlamentar në Asamblenë Parlamentare të KiE, e cila theksoi rëndësinë e zgjedhjeve si gur themel i demokracisë.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/